DVP Korçë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 27”

DVP Korçë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 27”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufijve.

Nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin po transportonte gjatë natës, 5 emigrantë, kapet dhe vihet në pranga 44-vjeçari.

Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të 44-vjeçarit, pasagjer në këtë automjet.

Sekuestrohen automjeti tip “BMW”, një celular dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të transporimit të emigrantëve nga Vendet e Treta, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Midnight 27”.

Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi E. P., 44 vjeç, banues në fshatin Bitinckë, Devoll, dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. S., 26 vjeç, banues në Korçë.

Gjatë natës, në dalje të Pogradecit, i është bërë shenjë për ndalim, automjetit që drejtonte 44-vjeçari. Ai nuk i është bindur urdhrit, por ka vazhduar lëvizjen. Menjëherë, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje, kanë bërë ndalimin e automjetit, në fshatin Qukës, Librazhd, dhe kanë arrestuar shtetasin E. P., ndërsa shtetasi Xh. S. (pasagjer në këtë automjet), duke përfituar nga errësira, është larguar. Vijon puna për kapjen e tij.

Në automjetin tip “BMW” që drejtonte i arrestuari, ishin 5 emigrantë nga Vendet e Treta, të cilët po transportoheshin kundrejt pagesave, nga 2 shtetasit, për të kaluar ilegalisht, kufirin, me destinacion vendet e BE-së.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.