DVP Fier – Vihen në pranga 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale

Fier/I hoqën padrejtësisht lirinë për motive të dobëta 22- vjeçarit, kapen dhe vihen në pranga dy autorët.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. A., 32 vjeç dhe E. A., 25 vjeç, (vëllezër), banues në Roskovec, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Kanosja” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” të kryera në bashkëpunim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar fizikisht dhe i kanë hequr lirinë në mënyrë të paligjshme për rreth një orë si edhe e kanë kanosur për jetën shtetasin J. G., 22 vjeç, banues në Roskovec.

Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë të mundur identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e dy autorëve.

Po nga këto struktura, u proceduan penalisht shtetasit S. J., 21 vjeç dhe K. L., 43 vjeç, pasi për motive të dobëta, në vendin e quajtur “ish QTU”, janë goditur me grushta duke shkaktuar dëmtime të lehta njëri-tjetrit.

Lushnjë/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin E. L., 28 vjeç, banues në Kamçisht, Lushnjë, pasi gjatë kontrollit të banesës i janë gjetur doza me lëndë narkotike heroinë dhe cannabis sativa si edhe është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Mallakastër/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim D. H., 28 vjeç, banues në Mallakastër, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier e ka dënuar me 1 muaj burg për veprën penale “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të Policisë”. Gjatë momentit të kapjes, 28-vjeçari drejtonte automjetin tip “Audi” i pa pajisur me leje drejtimi.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin S. Sh., 34 vjeç, banues në Roskovec, pasi është kapur duke drejtuar automjetin tip “Ford” në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.