Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vihen në prangat e Policisë 4 shtetas, nga të cilët një për organizimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, një në fushën e narkotikëve, një nga krimi ekonomik dhe një për shkatërrim të pronës me zjarr.
Shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë.
*Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, pas informacioneve të marra në rrugë policore se në një lokal në fshatin Golem zhvillohej veprimtaria e kundërligjshme e lojërva të fatit, organizuan punën dhe bënë të mundur goditjen e këtij rasti.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit E. Ç. janë gjetur dhe sekuestruar 100 cipsa, letra bixhozi dhe një shumë parash.
Në vijim të veprimeve u arrestua pronari i lokalit i cili organizonte lojërat e palejuara, shtetasi E. Ç., 40 vjeç, banues në Golem, Lushnjë.
*Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 22 vjeç, banues në Mallakastër, pasi gjatë kontrollit të automjetit që ky shtetas drejtonte, u gjetën doza me lëndë narkotike cannabis sativa dhe kokainë.
*Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier arrestuan shtetasin J. K., 25 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur 3 shtetase dhe i ka hapur faqe në rrjetet sociale me emrat e tyre. Nga kontrolli i ushtruar në automjetin e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë të ftohtë (elektroshot).
*Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” shtetasin K. T., 25 vjeç, banues në Vlorë dhe po punojnë për kapjen e shtetasit G. L., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë djegur automjetin e shtetasit J. Gj., 57 vjeç, banues në Divjakë.
*Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier shpallën në kërkim për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, shtetasin S. O., 36 vjeç, pasi për motive të dobëta është konfliktuar dhe ka goditur me grushta një shtetas të mitur, 17 vjeç.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.