DVP Fier/Finalizohet operacioni i koduar “Clean School”

DVP Fier

Finalizohet operacioni policor i koduar “Clean School”.

Goditet një grup kriminal që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave.

Vihen në pranga 4 shtetas, si dhe shpallet në kërkim një tjetër.

Sekuestrohen 2.9 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate celularë.

Pas një hetimi disa mujor, të ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të pjesëtarëve të një grupi që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të institucioneve arsimore në qarkun Fier.

Bazuar në provat e siguruara, Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, finalizoi operacionin policor të koduar “Clean School”.

Gjatë operacionit u ekzekutuan 4 nga masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata, konkretisht për shtetasit:

K. B., 28 vjeç, D. F., 25 vjeç, M. Zh., 42 vjeç dhe T. Ç., 52 vjeç, të katërt banues në Fier.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit E. B., 38 vjeç, banues në Fier, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e personave të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.9 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate telefonike celularë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

DVP Fier vijon angazhimin për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, me fokus të veçantë parandalimin dhe luftën kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe komunitetit.