DVP Durrës – Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore një ngjarje e ndodhur në vitin 2013, në fshatin Perlat, Durrës. Ndalohen dhe 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe procedohet penalisht 1 shtetas tjetër, për vepra të ndryshme penale

Vijon puna nga strukturat e DVP Durrës, për goditjen e paligjshmërisë.

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore një ngjarje e ndodhur në vitin 2013, në fshatin Perlat, Durrës.

Ndalohen dhe 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe procedohet penalisht 1 shtetas tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, kanë zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore një ngjarje të ndodhur më datë 28.10.2013, në fshatin Perlat, Durrës, ku 2 persona të armatosur kanë hyrë për të vjedhur në banesën e shtetasit B. T.

Në vijim të veprimeve është dokumentuar me prova ligjore se njëri prej autorëve të kësaj ngjarjeje është shtetasi M. K., 28 vjeç, i cili aktualisht po vuan dënimin në IEVP Durrës, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të përfshirë në këtë ngjarje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasit:

Sh. G., 47 vjeç, banues në Rromanat, Durrës, i shpallur në kërkim policor për veprën penale “Dhuna në familje”;

L. B., 22 vjeç, banues në Borizanë, Krujë, pasi më datë 07.02.2021, dyshohet se ka vjedhur materiale në një kompani telefonike, ndërsa më datë 08.02.2021, dyshohet se ka vjedhur vegla pune në banesën e shtetasit F. Xh., në Krujë.

Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës proceduan penalisht për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë”, shtetasin B. Ç., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka kundërshtuar për shkak të detyrës punonjësin e qarkullimit rrugor në DVP Durrës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Strukturat e Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për monitorimin e zbatimit të masave anticovid.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pronarin e një subjekti në Shijak, Durrës, shtetasin K. C., pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke ushtruar aktivitet pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid, për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer burim rreziku për qytetarët.