Durrës – Vihen në pranga 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Durrës arrestuan në flagrancë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi kompjuterik”, shtetasin A. M., 19 vjeç, banues në fshatin Kullë, Durrës, pasi nëpërmjet kanosjes dhe shantazhit, i ka marrë një shumë parash, nje shtetaseje të mitur. Gjithashtu, nëpërmjet mashtrimit kompjuterik, ka përfituar një shumë parash nga dy shtetas të tjerë të mitur.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Durrësit arrestuan në flagrancë shtetasit F. P., 65 vjeç dhe R. P., 38 vjeç, banues në Durrës, pasi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj nipit të tyre.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin I. K., 22 vjeç, banues në Sukth, Durrës, i cili pasditen e djeshme, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, në aksin rrugor Qerret-Katund i Ri, është përplasur me një automjet tjetër me drejtues shtetasin A. D., 38 vjeç dhe më pas ka aksidentuar 2 këmbësore, shtetasen F. K., 18 vjeçe, banuese në Durrës, e cila ka humbur jetën në vendngjarje, dhe një shtetase 13 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Po nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” shtetasit M. D., 26 vjeç, B. K., 62 vjeç dhe K. H., 41 vjeç, banues në Durrës, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.