Durrës – Organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, kundërshtuan punonjësit e Policisë dhe penguan qarkullimin e mjeteve të transporteve, arrestohen në flagrancë 7 shtetas, procedohen penalisht 15 shtetas, si dhe shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Durrës e më pas përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Shkatërrim i pronës”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshëm”, shtetasit:

G. Sh., A. Xh., Xh. S., A. D., A. L., E. Zh. dhe A. M.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” 3 shtetas (organizatorë të protestës), dhe për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” 12 shtetas.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim, për veprat penale “Shkatërrim i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit të Policisë”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, e 2 shtetasve.

Shtetasit e lartpërmendur kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, nuk i janë bindur urdhrit të Policisë për t’u shpërndarë dhe kanë bllokuar lëvizjen e mjeteve në qytet.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.