Durrës/I vodhi orën e dorës, një shtetasi italian (rezident në Shqipëri), arrestohet 42-vjeçari

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

I vodhi orën e dorës, një shtetasi italian (rezident në Shqipëri), reagimi i menjëhershëm i Policisë vë në pranga në kohë shumë të shkurtër, autorin.

Policia i kthen orën, shtetasit italian, i cili falënderoi Policinë, për reagimin e menjëhershëm, dhe median që bëri rastin publik.

Menjëherë pas publikimit të një videoje në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqet një shtetas duke vjedhur një orë dore në një lokal në lagjen nr. 11, në pronësi të shtetasit italian M. S., banues në Durrës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën për identifikimin dhe ndalimin e autorit.

Si rezultat, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i vjedhjes, shtetasi E. K., 42 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, u gjet ora e vjedhur, e cila iu dorëzua shtetasit italian.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të reaguar menjëherë ndaj çdo paligjshmërie, me qëllim garantimin e një ambienti sa më të sigurt për qytetarët dhe vizitorët.