Dropull, Gjirokastër
Policia identifikon dhe arreston autorin e zjarrvënies në pyjet e fshatit Frashtan.
Prej mesditës së djeshme, shërbimet e Policisë kanë mbajtur në kontroll perimetrin ku janë përhapur flakët.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë së Gjirokastrës, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, të asistuar nga një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera menjëherë pas njoftimit se në pyjet e fshatit Frashtan, në vendin e quajtur “Papasima”, kishte rënë zjarr, Policia e Gjirokastrës ka mundësuar identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit M. K., 39 vjeç, banues në fshatin Frashtan, Dropull.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.