Duke marrë parasysh situatën e krijuar për shkak të motit me reshje shiu, në të gjithë vendin, shërbimet e Policisë Rugore kanë rritur prezencën në të gjitha akset rrugore urbane, interurbane e rurale, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Në ndihmë të shërbimeve të Policisë Rrugore janë vendosur edhe Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Policisë dhe forca e posaçme “Shqiponjat”, për të bërë të mundur vijimin e qarkullimit normal të mjeteve.
Nga analiza e bërë ka rezultuar se pavarësisht masave të shtuara të Policisë Rrugore dhe asaj të Rendit, përgjatë javës dhe fundjavës, shumë drejtues mjetesh janë konstatuar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Shumica e tyre janë konstatuar nga makina inteligjente në shkelje të dyfishtë ose të trefishtë. Krahas shpejtësisë janë konstatuar edhe pa rrip sigurimi, duke përdorur celularin apo me të tria këto shkelje njëherazi.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë të fokusuara së pari në dhënien ndihmë drejtuesve të automjeteve që kanë nevojë gjatë qarkullimit, në këshillimin e drejtuesve të automjeteve për të zbatuar rregullat e qarkullimit rugor, por edhe në ndëshkimin e atyre drejtuesve të automjeteve që nuk i zbatojnë rregullat apo që janë përsëritës në shkelje, duke u kthyer në burim potencial rreziku për përfshirje në ngjarje rrugore.
Me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, drejtuesit e mjeteve dhe motomjeteve të moderojnë shpejtësinë, të ruajnë distancën, të mos kryejnë parakalime të gabuara në asnjë moment, të qëndrojnë në radhë në rastet kur ka fluks të shtuar mjetesh apo ngadalësim të lëvizjes për shkak të reshjeve të dendura të shiut, të vendosin rripin e sigurimit, kaskën mbrojtëse, të mos drejtojnë mjetet nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, pasi do përballen me sanksionet ligjore dhe administrative që parashikohen në Kodin Rrugor.
Policia Rrugore nuk ka për qëllim vendosjen e masave administrative, por është tërësisht e angazhuar dhe e fokusuar për të parandaluar ngjarjet rrugore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.
Në këtë kuadër ftojmë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin 112 dhe në Komsiariatin Dixhital, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm nga shërbimet policore.