Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita – punonjësve të Policisë:
“Faleminderit për sakrificën, përkushtimin dhe shërbimin tuaj!”
Paraditen e sotme, në Krujë, Ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë zhvilluan një takim me punonjësit e Policisë që u angazhuan maksimalisht për përballimin e situatës së vështirë të krijuar nga zjarri.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, falënderoi punonjësit e Policisë për përkushtimin, guximin dhe profesionalizmin e treguar gjatë operacionit përkrah strukturave të tjera të angazhuara në operacion.
Drejtues Madhor Skënder Hita:
“Shumë faleminderit që, gjatë një nate shumë të lodhshme dhe shumë të gjatë për të gjithë ne, arritëm ta përballojmë me sukses një situatë jashtëzakonisht të vështirë.
Vërtet ishte një situatë që nuk e kishim ndeshur më parë, me këto përmasa dhe kaq pranë qytetit. Por vendosmëria, përkushtimi dhe guximi juaj bënë të mundur që, gjatë këtij operacioni, të mos kishim asnjë humbje jete, asnjë banesë të përfshirë nga zjarri dhe që flakët të mos përhapeshin në zonat e qytetit.
Kjo ishte falë aftësive tuaja, profesionalizmit dhe këmbënguljes suaj.
Ka qenë vërtet një punë shumë e lodhshme dhe e mundimshme, në një terren të vështirë dhe në kushte klimatike aspak të favorshme. Por, gjithsesi, ne arritëm të bënim më të mirën dhe ta vendosnim zjarrin nën kontroll, së bashku me forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave civile.
Kjo është falë angazhimit të të gjitha strukturave.
Faleminderit! Jam vërtet shumë mirënjohës për punën tuaj të palodhur, për gjithçka që bëtë dhe për atë që do të vazhdoni të bëni edhe në orët në vijim.”
Në operacion u përfshinë rreth 300 punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët, së bashku me forcat zjarrfikëse dhe efektivët e Forcave të Armatosura, u angazhuan në vijën e parë për përballimin e flakëve në Krujë.
Punonjësit e Policisë evakuuan banorët në kushte tejet të vështira, duke qëndruar në terren me guxim, profesionalizëm dhe sakrificë.
Në një situatë ku rrezikohej jeta dhe prona e banorëve, Policia e Shtetit vuri në dispozicion të operacionit edhe autobotet dhe mjetet ujëhedhëse, duke angazhuar çdo kapacitet të nevojshëm.
