Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim me rrezikshmëri shoqërore në fushën e krimeve kundër personit.
Kapet dhe ndalohet një 47-vjeçar i shpallur në kërkim, për veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e një personi me rrezikshmëri shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit, strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, Forcat e Posaçme “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, kanë lokalizuar në fshatin Tomin, dhe vënë në pranga shtetasin L. Sh., 47 vjeç, banues në Dibër.
Ky shtetas, më datë 31.08.2018, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, për motive hakmarrje dyshohet se ka tentuar të vrasë me mjete prerëse shtetasin J. B.
Për shtetasin L. Sh., Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg” në mungesë, si autor i dyshuar i kryerjes së veprës penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë, të kryer në bashkëpunim”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.