Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
OFL, 9 qershor – Vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020. Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: A. Ll., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Vrasje kundër dy ose më shumë personave”; V. Ç., banues në Fier, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe fabrikim i lëndëve narkotike dhe psikotrope”; Sh. Ç., banues në Fier, për të cilin Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
Tiranë – Vijojnë operacionet nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Gjatë operacionit kapet dhe vihet në pranga një 38-vjeçar, i dënuar për trafikim të drogave të forta. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, paraditen e sotme, nga Seksioni i Kërkimit në bashkëpunim me Sektorin e Forcës Operacionale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, në rrugën “Todi Shkurti”, pas informacioneve të marra në rrugë operative, u kap shtetasi Nadir Lutaj, 38 vjeç, i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier. Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar këtë shtetas me 8 vite burg, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Në vitin 2013, në pikën e kalimit kufitar Vlorë, brenda një automjeti janë gjetur 8 pako me peshë 4.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe është arrestuar në flagrancë drejtuesi i mjetit, si dhe është shpallur në kërkim pronari i mjetit, Nadir Lutaj. Veprimet e mëtejshme do të kryhen nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier.
Policia e Shtetit – Finalizohet me sukses një tjetër operacion ndërkombëtar. Operacioni i koduar “CAR SHARING ”, zhvilluar nga Policia italiane, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit. Operacioni për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal që ushtronte veprimtari në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Operacioni i zhvilluar në një kohë, në Itali dhe në Shqipëri. Vihen në pranga në Shqipëri, dy anëtarë të grupit kriminal, si dhe tre të tjerë në Itali, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia italiane. Operacioni në Shqipëri është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm, i drejtuar nga Departamenti i Policisë Kriminale, me pjesëmarrjen e Interpol Tirana dhe Drejtorisë Vendore Fier, në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse Italiane të atashuar në vendin tonë (INTERFORCA). Si rezultat, në Fier u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: K. Ç., 34 vjeç, banues në Karbunare/Lushnjë, person me precedent të mëparshëm penal dhe Sh. Z., 35 vjeç, banues në Lushnjë. Ndërsa në Itali, nga Njësia Operative Radiomobile e Kompanisë Karabinieri të Borgo San Lorenzo të koordinuar nga Drejtoria Qendrore për Shërbimet Antidrogë dhe nga Prokuroria e Republikës së Firences, në kuadër të procedimit penal për shkatërrimin e një grupi kriminal në të cilin ishin të përfshirë shtetas shqiptar, i prirur në trafikun e lëndëve narkotike në Itali, veçanërisht në Toskana, në orët e para të mëngjezit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: H. SH., 28 vjeç dhe A. M., 45 vjeç, nga Lushnja, si dhe D. T. , 28 vjeç, nga Durrësi, të tre me banim të përkohshëm në Itali. Gjithashtu në Itali u shpall në kërkim shtetasi shqiptar E. H., me banim të përkohshëm në Itali. Nga periudha gusht 2017 deri në mars 2018, shtetasi K. Ç., në rolin si organizator, koordinator dhe përgjegjës i aktiviteteve kriminale të grupit që u godit mëngjesin e sotëm, negocionte me tregtarët e drogës dhe mbikëqyrte furnizimin me drogë, për ta trafikuar në rajonin e Toscanës. Shtetasi SH. Z., në rolin e tij si pjesëmarrës solid brenda grupit kriminal kontrabandonte lëndën narkotike kokainë dhe ia dorëzonte personave që kishin negociuar më parë. Gjithashtu ky shtetas ishte i ngarkuar për të mbledhur para nga kontrabandistët vendas dhe konsumatorët. Edhe në këtë operacion ndërkombëtar të radhës, Policia e Shtetit tregoi profesionalizëm, besueshmëri dhe vendosmëri për të luftuar me forcën e ligjit, në bashkëpunim me partnerët, krimin e organizuar dhe terrorizimin.
Durrës – Kapet dhe ndalohet një 20-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar. Gjithashtu arrestohen në flagrancë 4 shtetas, për vjedhje dhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin A. M., 20 vjeç, banues në Fushë Krujë. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin B. V., i cili u arrestua në flagrancë, më datë 30.05.2020, në një “Fast Food” në Fushë Krujë, ka paguar dhe thyer disa kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit: E. Sh., 32 vjeç dhe D. H., 31 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 08.06.2020, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë vjedhur dy biçikleta, shtetasit E. I. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve dhe ndëshkimin e drejtuesve që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur, arrestuan në flagrancë shtetasit: Y. T., 63 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në rrugën dytësore Rrashbull-Shijak, duke drejtuar mjetin tip “Audi”, pa leje drejtimi dhe nën ndikimin e alkoolit; A. D., 42 vjeç, banues në Durrës, pasi në rrugën “Adria”, duke drejtuar mjetin tip “Opel”, ka aksidentuar një këmbësore, shtetasen S. M., 53 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Falsifikim i monedhave”, “Vjedhja” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
DVP Dibër – Nisur nga disa postime të herëpashershme në rrjetet sociale, nga persona ende të paidentifikuar, të cilët në mënyrë të qëllimshme kërkojnë të përhapin dezinformacion dhe panik tek qytetarët, duke dhënë informacion të rremë për krisma armësh në qytetin e Bulqizës, sqarojmë opinionin publik se këto informacione janë tërësisht të pavërteta dhe dashakeqe. Për çdo informacion të publikuar, Policia ka kryer të gjitha veprimet dhe ka rezultuar se këto informacione kanë qenë të pavërteta. Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, ka nisur hetimet për të identifikuar personat që përhapin këto lajme të rreme. Gjithashtu është publikuar një tjetër lajm i pa vërtetë, në lidhje me pretendimin e disa banorëve se në fshatin e tyre qarkullojnë makina pa targa dhe persona me maska e të armatosur, ku menjëherë Policia e Dibrës, ka marrë kontakt me banorët e zonës, dhe pas hetimeve të kryera ka rezultuar se informacioni është i pavërtetë. DVP Dibër kërkon mirëkuptimin e medias dhe portaleve online që të mos publikojnë lajme të pakonfirmuara dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.
Bulqizë – Falë bashkëpunimit Polici-Komunitet dhe si rezultat i kontrolleve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Gjatë kontrolleve të ushtruara për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje kapet dhe vihet në pranga një 56-vjeçar, pasi mbante armë zjarri dhe municione luftarake në banesë. Sekuestrohen kallashnikov, qindra fishekë luftarakë, kapsolla elektrike, detonatorë dhe fitil zjarrpërcjellës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në vijim të punës për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo që i mbajnë pa leje në banesë, si dhe të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara për këtë qëllim, falë bashkëpunimit me qytetarët, kanë evidentuar dhe goditur një rast të armëmbajtjes pa leje. Pas informacione të marra në rrugë operative se një shtetas në fshatin Tërnovë posedonte armë zjarri pa leje, menjëherë u organizua puna dhe falë ndërhyrjes së shpejtë e profesionale u bë e mundur që gjatë kontrollit të banesës së shtetasit R. R., të gjenden dhe sekuestrohen në cilësinë e provës materiale: një kallashnikov, tri arka metalike me 600 fishekë, 19 kapsolla elektrike, 280 kapsolla detonatorë dhe 110 m fitil zjarrpërcjellës. Specialistët për Hetimin e Krimit, në përfundim të veprimeve hetimore, arrestuan në flagrancë shtetasin R. R., 56 vjeç, banues në fshatin Tërnovë, Bulqizë. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burg deri në 7 vjet.
Tiranë – Bien në prangat e Policisë 3 shtetas, 1 për mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe 2 për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. Q., 33 vjeç, pasi në rrugën “Muhamet Gjollesha”, shërbimet e Policisë “Shigjeta” e kanë kapur në flagrancë duke u konfliktuar me disa shtetas, me një shkop metalik që plotëson kushtet e armës së ftohtë. Ndërkohë, specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve Gj. L., 40 vjeç dhe F. S., 40 vjeç, pasi u kapën në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 69 shtetas, konkretisht: 9 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 56 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste: 4 raste të “Kanosja”, 3 në Tiranë dhe 1 në Korçë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë”, në Elbasan, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 2 në Durrës, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë; 2 në Vlorë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 9 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Pushtim toke”, 1 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 1 në Gjirokastër, 1 në Dibër dhe 2 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të“Mashtrimi”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 2 në Dibër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.