Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, në DVP Lezhë: “Përkushtimi dhe informacioni policor parandaluan dy ngjarje të rënda kriminale; siguria në shkolla kërkon vëmendje të shtuar.”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zhvilloi një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, ku falënderoi dhe përgëzoi punonjësit e Policisë, për punën e kryer, përkushtimin dhe rezultatet e arritura në parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.
Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi veçanërisht punën hetimore dhe operacionale të strukturave policore, falë së cilës u bë i mundur parandalimi i dy ngjarjeve shumë të rënda kriminale, duke shmangur rrezikun për jetën e qytetarëve.
Hita: “Parandalimi i dy ngjarjeve shumë të rënda kriminale është rezultat i punës, përkushtimit, motivimit dhe vendosmërisë suaj. Keni arritur të identifikoni dhe të kapni persona me rrezikshmëri të lartë, të cilët dyshohet se do të vepronin ndaj personave konkretë. Edhe ngjarja e ndodhur dy ditë më parë, me lëndë eksplozive në qytetin tuaj, është dokumentuar dhe hetimet kanë ecur në drejtimin e duhur. Të gjitha këto rezultate shërbejnë për të fituar besimin e qytetarëve dhe për të dhënë më të mirën për këtë qytet”.
Gjithashtu, Drejtor Hita kërkoi që i njëjti përkushtim dhe vendosmëri të vijojnë edhe në përmbushjen e detyrave të tjera, duke vënë theksin veçanërisht te siguria në shkolla.
“Siguria në shkolla dhe perimetri i sigurisë në këto institucione janë të pazëvendësueshme. Dua të përkushtoheni më shumë dhe të kërkoni më shumë nga vetja, në mënyrë që rastet e shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, të marrin goditjen e duhur edhe nga ana juaj. Dua që rezultatet e mira që keni arritur të vijojnë dhe të shoqërohen me vëmendje edhe më të shtuar nga të gjithë ju”, theksoi ai.
Në përfundim, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi konsolidimin e mëtejshëm të strukturave të DVP Lezhë, duke i inkurajuar punonjësit e Policisë që të vijojnë me profesionalizëm, përgjegjshmëri dhe vendosmëri në përmbushjen e misionit të tyre për sigurinë e qytetarëve në të gjithë qarkun.
Drejtori i DVP Lezhë, Drejtues i Parë Ermal Muçaj, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm, për mbështetjen e vazhdueshme me efektivë dhe mjete, duke garantuar se strukturat vendore do të vijojnë të japin maksimumin për përmbushjen e detyrave.



