PKK Muriqan/Finalizohet operacioni i koduar “Bashkëpunimi”, sekuestrohet 1 kg Kokainë

PKK Muriqan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Bashkëpunimi”.

Arrestohet në flagrancë një 56-vjeçar, i cili tentoi të fuste në Shqipëri, me automjet, 1 kilogram lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Si rezultat i koordinimit të veprimeve dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Policisë Kufitare dhe autoriteteve doganore, parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan, në bashkëpunim me autoritetet doganore, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëpunimi”, goditën një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato doganore, bazuar në analizën e riskut, kaluan për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, automjetin tip “Renault”, që drejtohej nga 56-vjeçari A. H.

Gjatë kontrollit të automjetit, brenda një çante, u gjet një pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë mbi 1 kilogram. Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër arrestuan shtetasin A. H., 56 vjeç, banues në Durrës.

Strukturat për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.