Nën moton “Së bashku do ia dalim”, Kompania Fufarma ka dhuruar për punonjësit e Policisë së DVP Tiranë, 1000 paketa me alkolinë, dezinfektant për duart, maska dhe doreza

Tiranë

Vijon mbështetja dhe solidariteti për punonjësit e Policisë, të cilët janë në vijën e parë të luftës për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Nën moton “Së bashku do ia dalim”, Kompania Fufarma ka dhuruar për punonjësit e Policisë së DVP Tiranë, 1000 paketa me alkolinë, dezinfektant për duart, maska dhe doreza.

Përfaqësuesit e Kompanisë Fufarma i kanë shpërndarë paketat me masat mbrojtëse nga COVID-19, në DVP Tiranë, në DPPSH dhe punonjësve të Policisë në shërbim.

Znj. Amarilda Biba, Drejtuese Teknike e Kompanisë Fufarma është shprehur: “Më lejoni që në emër të Kompanisë Fufarma t’ju falënderoj për punën tuaj të përkushtuar gjatë këtyre ditëve që po kalojmë të gjithë së bashku. Paketa simbolike ka në përbërje të saj armët bazë për t’u mbrojtur nga ky armik i padukshëm, siç është alkolina, dezinfektant për duart, maska, doreza, si dhe shishe uji me logot e dy kompanive tona fufarma dhe TwoBee”.

Drejtori i Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë Rebani Jaupi, në fjalën e tij falënderuese theksoi: “Ky gjest i juaji për punonjësit e Policisë është në kohën e duhur, pasi ne kemi kontakte të vazhdueshme me qytetarët, jemi kontakti i parë për çdo ndihmë dhe për adresimin e tyre atje ku kanë nevojë. Ju falënderoj dhe bashkërisht t’ia dalim kësaj situate të vështirë”.

Znj. Migena Bardhi, Menaxhere e Marketingut të Kompanisë Fufarma u shpreh: “Nën moton së bashku do ia dalim, vëmendja e kompanisë sonë është drejtuar tek ju, në shenjë falënderimi për punën e përkushtuar. Ne kemi besim që bashkë me ju dhe bashkë me gjithë të specialistët e tjerë, mjekë, infermierë, farmacistë, të cilët janë në vijën e parë të luftës kundër COVID-19 dhe me angazhimin qytetar në respektimin e të gjithë rregullave të vendosura do t’ia dalim sa më shpejt që t’i rikthehemi jetës sonë normale dhe të shijojmë dhe pranverën”.

Durim, bashkë do ia dalim!