Vrau me armë zjarri, kallashnikov, shtetasin J. Z., 21 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, arrestohet shtetasi K. S., 20 vjeç, banues në Korçë.
Sekuestrohet, në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pushkë automatike, e dyshuar se është përdorur në ngjarje.
Dje, rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka pasur një konflikt për motive të dobëta midis disa shtetasve, i cili është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë, ka humbur jetën shtetasi J. Z., 21 vjeç.
Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas disa orësh kërkimesh intensive, të kryera nga shërbimet e DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, është bërë e mundur lokalizimi dhe kapja e 20-vjeçarit, në lagjen nr. 3, në afërsi të banesës së tij.
Në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
