Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Target”.
Qarkullonte i armatosur me armë zjarri pistoletë, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari.
I arrestuari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër personit, armëmbajtjes pa leje, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një shumë parash.
Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, si dhe bazuar në kontrollet e ushtruara nëpër ambiente të ndryshme, ku mund të ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas lëvizte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Target”.
Si rezultat i operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lagjen nr. 9, në një lokal, në ambientet e të cilit u konstatua shtetasi A. Q., që dyshohej se ishte i armatosur.
Ky shtetas, sapo vuri re forcat e Policisë, ka tentuar të largohej me shpejtësi, me qëllim që të shmangte kapjen nga Policia, por u kap dhe neutralizua.
Nga kontrolli fizik, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me krehër, municion luftarak dhe një shumë parash.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Q., 31 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
