Raporti i ngjarjeve, 29 dhjetor 2025

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë:
-arrestuan shtetasin K. T., 19 vjeç, banues në fshatin Dushk, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”;
-shpallën në kërkim shtetasin L. Gj., 38 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë një shumë parash një 48-vjeçari.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin T. S., 21 vjeç, banues në Fier, pasi duke drejtuar automjetin, ka përplasur një këmbësor, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin F. L., 54 vjeç, banues në fshatin Gradisht, pasi për motive të dobëta ka goditur me grushte dhe sende të forta një shtetas 43 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Sh., 47 vjeç, banues në fshatin Kapaj, pasi ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.

Në Komisariatin e Policisë Lushnjë është paraqitur shtetasi K. G., 56 vjeç, i cili ka kallëzuar se i kanë vjedhur një shumë parash në banesë. Vijojnë hetimet mbi këtë kallëzim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Me objektiv garantimin e mbarëvajtjes së festimeve me rastin e ndërrimit të viteve, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në bazë dhe për zbatim të planit të posaçëm të masave, të hartuar me të njëjtin objektiv, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka ndërmarrë një sërë masash konkrete në të gjithë territorin e kryeqytetit.

Masat konsistojnë në:
-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale, në të gjitha zonat urbane, me fokus të veçantë në zonat me fluks qytetarësh, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike;
-vendosjen e pikave fikse të kontrollit në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe shtimin e patrullimeve të lëvizshme, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë;
-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, nëpërmjet kontrolleve të shtuara, përdorimit të mjeteve inteligjente dhe patrullimeve në akset kryesore urbane dhe interurbane, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore;
-kryerjen e kontrolleve të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që posedojnë/shesin lëndë piroteknike (fishekzjarre dhe/ose kapsolla), për parandalimin e rreziqeve dhe ngjarjeve aksidentale;
-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë, në sheshe publike, shëtitore, pedonale, objekte kulti, në ambiente argëtimi (bare, restorante, lokale nate) dhe në qendra tregtare, me objektiv garantimin e mbarëvajtjes së festimeve;
-bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Theksojmë se punonjësit e Policisë do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë menjëherë, në çdo rast nevoje. Kërkoni ndihmë dhe denonconi paligjshmëritë që hasni, pranë çdo patrulle fizike, njesie policie ose në numrat pa pagesë 129 dhe 112!

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë është e angazhuar maksimalisht për të garantuar një ambient të sigurt për qytetarët, gjatë gjithë ditëve të festimeve me rastin e ndërrimit të viteve.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasen I. K., 34 vjeçe, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 i gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin M. P., 39 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në subjektin në administrim nga shtetasi E. L.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
•referuan materialet në Prokurori për shtetasin L. H., 31 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur një shtetas;
•referuan materialet në Prokurori për shtetasen B. M., 21 vjeçe, pasi dyshohet se, nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë një automjet shtetasit A. B., të cilin dyshohet se e ka dëmtuar dhe nuk ia ka kthyer;
•referuan materialet në Prokurori për 2 shtetas të mitur, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me sende të forta dy shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori për shtetasit:
•V. C., pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin S. R., si dhe ka goditur me shuplakë djalin e tij të mitur;
•V. K. dhe S. R., pasi pas një konflikti për motive të dobëta janë konfliktuar fizikisht me njëra-tjetrën;
•I. M., pasi u konstatua në posedim të lëndëve piroteknike.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit:
•D. D., 43 vjeç, pasi, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me automjetin me drejtues F. A., duke shkaktuar vetëm dëme materiale;
•M. T., 57 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur;
•Xh. H., 27 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte ka përplasur këmbësoren L. D., 66 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve;
•G. H., 27 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Më datë 27.12.2025, është paraqitur për mjekim në spital një shtetase 51 vjeçe, e cila dyshohet se, në gjendje të rënduar psikologjike, është vetëhedhur nga lartësia e banesës së saj. Aktualisht, ajo ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Më datë 28.12.2025, një shtetas 62 vjeç, në banesë, ka tentuar të vetëdëmtohet me mjet prerës, i cili po mori ndihmë mjekësore në spital.
Më datë 29.12.2025, shtetasi L. B. kallëzoi se është goditur me grushte nga një shtetas ende i paidentifikuar. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 24 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr.10, dyshohet se ka vjedhur në një dyqan, një sasi lekësh.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin Z. H., 45 vjeç, banues në fshatin Starovë, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj babait të tij, i cili u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin G. P., 27 vjeç, banues në Memëlisht, Pogradec, pasi në një lokal të fshatit, dyshohet se është konfliktuar me shtetasin T. E., për motive të dobëta.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. A., 33 vjeç, banues në fshatin Menkulas, Devoll, pasi në lokalin ku ndodhej, gjatë kontrollit të celularit të tij u gjetën faqe për baste sportive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë
Me qëllim garantimin e sigurisë rrugore dhe menaxhimin e fluksit të shtuar të qarkullimit në prag të festave të fundvitit, Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë ka rritur ndjeshëm praninë e shërbimeve në terren, duke intensifikuar kontrollet dhe patrullimet në të gjitha akset kryesore, dytësore dhe nyjet lidhëse të kryeqytetit.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe përdorimit të pajisjeve logjistike bashkëkohore, janë konstatuar shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, për të cilat janë vendosur masat administrative si më poshtë:
•Qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara – 529 masa;
•Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit – 389 masa;
•Mosvendosje e rripit të sigurimit – 256 masa;
•Mosvendosje e kaskës mbrojtëse – 346 masa;
•Mosrespektim i radhës së qarkullimit – 170 masa;
•Parakalim i gabuar – 87 masa.
Gjithashtu, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor:
•janë arrestuar/proceduar penalisht 39 shtetas;
•janë bllokuar 20 automjete.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në parandalimin e aksidenteve dhe në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Tiranë/Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubimin e ditës së sotme, nga ora 18:00 deri në orën 20:00, para Kryeministrisë.

Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Interpol Tirana/Finalizohen faza të tjera të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”.

Ekstradohet nga Spanja, një shtetase e dënuar me 7 vjet burgim, për mashtrim me pasoja të rënda.

Ekstradohet në Gjermani, një shtetas i dënuar me 6 vjet e gjysmë burgim, për trafik të lëndëve narkotike.

Në vijim të bashkëpunimit të konsoliduar ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të tyre në Spanjë dhe në Gjermani, u finalizuan në kuadër të operacionit “The Wanted”, procedurat për ekstradimin:

-nga Spanja, në Shqipëri, të shtetases Marjana Gjona, 42 vjeçe, e cila është dënuar në vitin 2019, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me 7 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda;

-nga Shqipëria, në Gjermani, të shtetasit Metehan Tutuncu, 26 vjeç, i cili është dënuar nga Gjykata e Aschaffenburg, Gjermani, në vitin 2023, me 6 vjet e 6 muaj burgim, për trafikim të lëndëve narkotike.

Korçë

Vodhi targat e 5 automjeteve, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari.

Sekuestrohen targat e vjedhura, të cilat u gjetën në banesën e 23-vjeçarit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve, si rezultat i veprimeve hetimore dhe i informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë bërë të mundur zbardhjen e 5 rasteve të vjedhjes së targave të automjeteve në pronësi të shtetasve të ndryshëm dhe identifikimin e autorit të dyshuar të këtyre rasteve.

Në vijim të veprimeve, autori i dyshuar, shtetasi D. V., 23 vjeç, banues në Korçë, u arrestua për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjetën 5 targat e vjedhura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen D. Xh., 58 vjeçe, pasi dyshohet se u ka shitur lëndë piroteknike (kapsolla) dy shtetasve të mitur, 12 dhe 13 vjeç. Gjatë kontrollit në dyqan është gjetur dhe sekuestruar një sasi lëndësh piroteknike.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. M., 26 vjeç, pasi në aksin rrugor “Tiranë-Elbasan”, automjeti që ai drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Xh. Q., 24 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar shtetasi Xh. Q. dhe 2 pasagjerë në automjetin e tij, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën;
-I. M., 32 vjeç, pasi duke drejtuar motomjetin, ka aksidentuar shtetasin H. M., 66 vjeç, këmbësor. Si pasojë janë dëmtuar shtetasi H. M. dhe drejtuesi i motomjetit, të cilët janë në kujdesin e mjekëve;
-A. B., 47 vjeç, pasi duke lëvizur me biçikletë, në gjendje të dehur, është përplasur me pasqyrën e automjetit që drejtohej nga shtetasi E. T., 34 vjeç. Si pasojë, shtetasi A. B. është dëmtuar lehtë.

Cërrik/Dje, është paraqitur në spital, shtetasi indian M. K., 33 vjeç, i cili dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht në një kantier ndërtimi, në fshatin Mollas, ku punonte si pastrues i mbetjeve. 33-vjeçari është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. B., 18 vjeç, banues në Lezhë, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe u sekuestrua sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Shërbimet e Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. P., 52 vjeç, banues në Lezhë, pasi në aksin rrugor “Shëngjin-Lezhë”, automjeti që drejtonte, u përplas me automjetin që drejtonte shtetasi E. S., 28 vjeç. Si pasojë u dëmtua një pasagjere në automjetin e parë, e cila është jashtë rrezikut për jetën.

Më tej, u referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, për 3 raste. Konkretisht:
-shtetasi Gj. N. dyshohet se ka pushtuar një sipërfaqe toke në lagjen “Varosh”;
-shtetasi P. N. dyshohet se ka pushtuar një sipërfaqe toke në fshatin Markatomaj;
-në banesën e shtetasit L. V., në Fushë Kuqe, ka rënë zjarr, dyshohet si pasojë e një defekti në sistemin elektrik të objektit. Si pasojë pati vetëm demë materiale.
Vijojnë hetime për të dokumentuar rrethanat e këtyre rasteve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 10:10, në lagjen “Manush Alimani”, në hyrjen e një pallati, dyshohet se ka shpërthyer paneli i matësave të energjisë elektrike.

Si pasojë u dëmtua një shtetas ende i paidentifikuar, rreth 55 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për dokumentimin e rrethanave, identifikimin e shtetasit që ka humbur jetën dhe për përcaktimin e shkakut të shpërthimit të matësave elektrikë.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. T., 27 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte pa leje, në aksin rrugor “Lekaj–Rrogozhinë”, dhe si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti u dëmtua lehtë, 27-vjeçari;
-G. T., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, në rrugën “Pavarësia”, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me një automjet. Nga aksidenti pati vetëm dëme materiale;
-A. Sh., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, në aksin rrugor “Shkozet–Shijak”, dhe si pasojë, automjeti është përplasur me një automjet. Nga aksidenti u dëmtua lehtë, një pasagjere në automjetin që drejtonte shtetasi A. Sh..

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-Gj. G., 23 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit të kryer në lokalin e tij, në lagjen nr. 5, u gjetën 4 kompjuterë me të cilët luheshin lojëra fati. Pajisjet u sekuestruan me cilësinë e provës materiale;
-S. K., 43 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-J. D., 40 vjeçe dhe për djalin e saj 15-vjeçar, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë dëmtuar fizikisht, lehtë, një 14-vjeçar;
-I. T., 57 vjeç dhe për dy djemtë e tij, shtetasit E. T., 22 vjeç dhe A. T., 27 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë dhunuar një 43-vjeçar;
-A. U., 47 vjeç, pasi iu gjetën në celular, faqe aktive për vënie bastesh sportive. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua celulari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manëz referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. V., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht, një 24-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak shpallën në kërkim shtetasin E. V., 40 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin lëvizte në aksin rrugor “Xhafzotaj–Shijak”. Punohet për kapjen e 40-vjeçarit, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 23 vjeç, banues në Klos, pasi në vendin e quajtur “Kthesa e Cërujës”, teksa drejtonte automjetin e tij në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi drejtimin dhe automjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë, kanë mbetur të lënduar 23-vjeçari dhe një pasagjer, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Po nga këto shërbime, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin H. H., 60 vjeç, banues në Bulqizë, pasi teksa drejtonte motomjetin e tij nën efektin e alkoolit, ka humbur kontrollin dhe motomjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë, ka mbetur i lënduar 60-vjeçari, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.