Tiranë/Komisariati i Policisë Nr.1 dhe fondacioni “Fundjavë Ndryshe”, nismë humanitare për familjet në nevojë

Tiranë

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e solidaritetit dhe përgjegjësisë sociale, Komisariati i Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me fondacionin “Fundjava Ndryshe”, organizoi një nismë humanitare në ndihmë të familjeve në nevojë në disa fshatra të Tiranës.

Në këtë aktivitet humanitar u angazhuan vullnetarisht efektivët e Komisariatit Nr. 1, të cilët kontribuuan me dhurime ushqimore dhe veshje, duke demonstruar se përtej përmbushjes së detyrimeve ligjore dhe garantimit të rendit e sigurisë, Policia e Shtetit mbart dhe promovon vlera të forta humane dhe solidariteti.

Gjatë realizimit të kësaj nisme, ndihma e ofruar për familjet përfituese u shoqërua edhe me mbështetje morale, duke përcjellë një mesazh të qartë kujdesi, bashkëpunimi dhe afërsie.

Angazhime të tilla kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve të besimit mes Policisë dhe komunitetit, si dhe në rritjen e rolit të institucioneve ligjzbatuese në mbështetje të mirëqenies sociale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë do të vijojë të mbështesë dhe të ndërmarrë iniciativa të ngjashme, në funksion të ndërtimit të një shoqërie më solidare dhe më gjithëpërfshirëse.

#PranëKomunitetit
#PoliciKomunitet