Kuçovë
Në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, Komisariati i Policisë Kuçovë organizoi një aktivitet sensibilizues me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Gaqi Karakashi”.
Gjatë vizitës, nxënësit u pritën në ambientet e Komisariatit ku u njohën nga afër me punën, misionin dhe rolin e Policisë në garantimin e sigurisë së tyre dhe në mbrojtjen e çdo qytetari nga dhuna.
Në aktivitet morën pjesë drejtori i shkollës, psikologia, mësues shoqërues, si edhe punonjës të strukturave të ndryshme të Policisë, përfshirë punonjës të Komisariatit të Policisë Kuçovë, punonjës të Qarkullimit Rrugor dhe efektivë të forcës së posaçme “Shqiponja”.
Bashkëbisedimi mes nxënësve dhe punonjësve të Policisë ishte i hapur dhe i drejtpërdrejtë, duke trajtuar çështje si parandalimi i dhunës, rëndësia e raportimit, roli i Policisë si institucion mbrojtës dhe partner i fëmijëve dhe komunitetit.
Në përfundim të aktivitetit, nxënësit ndanë mesazhet e tyre personale kundër dhunës, duke shprehur me guxim vlera të rëndësishme si respekti, solidariteti, zëri i ngritur ndaj padrejtësisë dhe besimi te një ambient i sigurt brenda dhe jashtë shkollës.
Falenderojmë nxënësit për energjinë dhe ndërgjegjësimin, si dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në forcimin e bashkëpunimit mes Policisë dhe komunitetit shkollor.
Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e fëmijëve, informimin e brezit të ri dhe ndërtimin e një shoqërie pa dhunë.
