Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rent house 2”, goditet një tjetër rast i prostitucionit

Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rent house 2”, goditet një tjetër rast i prostitucionit.

Vihen në pranga dy shtetase kineze që ushtronin prostitucion në një apartament që e kishin marrë me qira.
Vihet në pranga edhe 1 shtetas, për prostitucion.
Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, dhe 5 celularë.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Rent house 2”.

Si rezultat i këtij operacioni u zbulua një apartament në lagjen “Parrucë”, ku ushtrohej prostitucion.

Në kuadër të operacionit u arrestuan 3 shtetas të kapur në ambientet e apartamentit, konkretisht:

shtetaset kineze Sh. J., 34 vjeçe, dhe Y. P., 46 vjeçe, të cilat kishin marrë me qira apartamentin dhe e kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit;

E. K., 37 vjeç, banues në Shkodër.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshme.