Tiranë/Goditet 1 rast i shpërndarjes së drogave të forta në sasi të vogla.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, 2 peshore elektronike dhe 1 automjet.Vihet në pranga 48-vjeçari që i posedonte.
Në pranga edhe një 41-vjeçar për moskallëzim krimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, dhe të mbështetura nga informacione se një shtetas shpërndante lëndë narkotike në zonën e Vorës, vijuan kontrollet me fokus identifikimin, kapjen dhe arrestimin e tij.
Si rezultat, u godit 1 rast i kësaj veprimtarie kriminale dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– Sh. D., 48 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”;
– R. K., 41 vjeç, banues në Domje, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Në vendin e quajtur “Nënkalimi i Marqinetit”, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin me drejtues shtetasin Sh. D. dhe pasagjer shtetasin R. K. Gjatë kontrollit të automjetit dhe më pas të banesës së 48-vjeçarit, u gjetën një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë dhe 2 peshore elektronike.
Nga veprimet hetimore dyshohet se Sh. D., pasi siguronte lëndën narkotike të llojit kokainë, e ndante atë në doza dhe e shiste në sasi të vogla në zonën e Vorës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

