Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “The bet”.
Ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet celularit, në lokalin e tij, vihet në pranga 46-vjeçari.
Sekuestrohet një aparat celular me faqe që shërbenin për organizimin e lojërave të fatit, si dhe foto të biletave të basteve sportive.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, bazuar në informacione të siguruara nga burime policore, për një rast të ushtrimit të paligjshëm të veprimtarisë së lojërave të fatit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “The bet”, në kuadër të të cilit u arrestua:
-shtetasi Sh. H., 46 vjeç, banues në Kamëz, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e këtij shtetasi, në rrugën “Skënderbeu”, në Kamëz, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një aparat celular që përmbante faqe të përdorura për organizimin e lojërave të fatit, si dhe foto të biletave të basteve sportive.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

