DVP Lezhë / Finalizohet operacioni policor i koduar “Bag”.
U arrestua në flagrancë një 22-vjeçar, i kapur duke qarkulluar me armë zjarri pistoletë në automjet.
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Lezhë, gjatë kontrolleve parandaluese në aksin interurban “Lezhë–Shkodër”, në fshatin Mabë, konstatuan një automjet tip BMW që po kryente parakalim të gabuar dhe shkelte rregullat e qarkullimit rrugor.
Duke u bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se drejtuesi mund të mbante armë zjarri me vete, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bag”, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Gjatë kontrollit fizik dhe të çantës që mbante me vete, u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, me krehër dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Në vijim të veprimeve procedurale, u ushtrua kontroll edhe në banesën e shtetasit, ku u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua shtetasi Xh. C., 23 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
