Raporti i ngjarjeve, 21 nëntor 2025

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat:
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. B., 54 vjeç dhe P. T., 57 vjeç;
-shpallën në kërkim shtetasit S. D., 22 vjeç, E. D., 24 vjeç dhe E. T., 32 vjeç.
Këta shtetas, dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht, me njëri-tjetrin, në ambientet e lokalit të 57-vjeçarit, ku 54-vjeçari ka dëmtuar pajisjet. Punohet për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. S., 61 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se ka shkuar te banesa e bashkëshortes së tij, në kundërshtim me urdhrin e mbrojtjes.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. M., 41 vjeç dhe S. M., 20 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, një shtetas 46 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin M. K., 36 vjeç, banues në Durrës, pasi në rrugën “Kristo Sotiri”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin që drejtonte pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur, dhe si pasojë, motomjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti u dëmtua 36-vjeçari, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Ç., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte, u gjetën një sasi e vogël Kokaine dhe një mjet prerës (biçak), që u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-F. B., 27 vjeç, E. H., 21 vjeçe dhe O. Xh., 29 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur njëri-tjetrin, me grushte dhe me sende të forta;
-Nj. K., banues në Durrës, pasi në bashkëpunim me shërbimet e OShEE-së, u konstatua se kishte vjedhur energji elektrike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. B., 50 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet se ka tërhequr me automjet, një kafshë ngarkese;
-D. Z., 20 vjeç, banues në Durrës, pasi mbante në automjet, një shkop bejsbolli që u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak:
-shpallën në kërkim shtetasin A. P., 40 vjeç, banues në Shijak, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet thirrjeve telefonike, bashkëshorten e tij, me të cilën janë në proces gjyqësor, për zgjidhje të martesës. Punohet për kapjen e 40-vjeçarit;
-referuan materialet në Prokurori për kallëzimin e administratores së një marketi në fshatin Xhafzotaj, se një shtetas i maskuar kishte vjedhur një shumë parash, në këtë subjekt. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

DVP Vlorë

Goditen 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike, në Vlorë dhe Sarandë.

Vihen në pranga 3 shtetas që shisnin lëndë narkotike kokainë dhe kanabis.

Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të shitjes së lëndëve narkotike, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë kanë evidentuar dhe goditur dy raste të njëpasnjëshme, si rezultat i të cilave u arrestuan 3 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

Në lagjen nr.1, Sarandë, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë shtetasin E. M., 41 vjeç, në banesën e shtetasit V. Ll., 46 vjeç, duke përgatitur doza me lëndë narkotike kanabis. Gjatë kontrollit u sekuestruan 12 doza me lëndë narkotike të dyshuar kanabis, gati për shitje.

Në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit J. Gj., 21 vjeç, shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 doza të dyshuara lëndë narkotike kokainë, gati për shitje.

Në vijim të veprimeve procedurale, në të dyja rastet u bë arrestimi në flagrancë i të tre shtetasve të sipërpërmendur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan shtetasin B. G., 58 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. H., 45 vjeç, banues në fshatin Dragoç, dhe K. R., 68 vjeç, banues në fshatin Boks, pasi u kapën duke drejtuar motomjetet, pa leje drejtimi.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. N., 21 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen S. F., 26 vjeçe, banues në Shkodër, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi kanë kallëzuar shtetasit T. W., 39 vjeç, dhe W. Y., 36 vjeç, të dy banues në Itali, se 26-vjeçarja i ka mashtruar për transfertën e një shume eurosh, për sigurimin e lejes për qëndrim dhe punë në Shqipëri, për vëllanë e shtetasit W. Y., banues në Nigeri.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. Sh., 29 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë i gjetën një dorezë metalike (përforcues grushti), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;
-L. L., pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e saj u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen E. C., 42 vjeçe, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa lejen përkatëse.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pukë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. P., 57 vjeç, banues në fshatin Shkozë, pasi ka kallëzuar shtetasi P. P., 58 vjeç, se 57-vjeçari i ka zaptuar një tokë arë, në fshatin Shkozë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Elbasan

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Elbasan, operacioni policor i koduar “Night 2”.

Zbardhet djegia e qëllimshme e një automjeti.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 31-vjeçari që dyshohet se dogji automjetin, dje, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pasi kanë marrë njoftimin se në rrugën “Caush Asllani”, në fshatin Katund i Ri, ishte djegur një automjet, organizuan operacionin e koduar “Night 2”, me qëllim zbardhjen e shkakut të djegies dhe dokumentimin e rrethanave të rastit. Si rezultat i hetimeve dhe i administrimit të pamjeve filmike, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi:

Xh. M., 31 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri.

Ky shtetas dyshohet se më datë 20.11.2025, ka djegur me lëndë djegëse, automjetin e një 29-vjeçari, për motive të dobëta. Nga verifikimet rezultoi se shtetasi Xh. M. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Elbasanit, për veprën penale “Vjedhja”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

#angazhimpërkushtimsakrificë ️
#tëvendosurkundërkrimit ✅
#nëçdoskajtëvendit
#nëshërbimtëqytetarëve ️

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin G. A., 18 vjeç, pasi shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën sasi lëndesh narkotike kokainë dhe kanabis.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme shpallën në kërkim shtetasin B. G, pasi dyshohet se ka futur me qëllim trafikimin automjetin në pronësi të shtetasit K. J. Punohet për shoqërimin e tij dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare ndaluan shtetasin polak D. K, 21 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Sh, F. M, B. D, D. D, N. M dhe K. Xh, pasi mbasditën e djeshme, kanë organizuar grumbullime dhe manifestime të paligjshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-H. Ç, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë ish-bashkëshorten e tij;
-R. Ç., 65 vjeçe dhe B. L., 66 vjeç, pasi dyshohet se gjatë një seance gjyqësore kanë fyer gjyqtaren.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
-arrestuan shtetasen S. E., 35 vjeçe, pasi u kap në shkelje të masës të sigurisë “Arrest në shtëpi” vendosur nga Gjykata;
-ekzekutuan vendimin e Gjykatës për shtetasin në kërkim A. C, 36 vjeç, e cila e ka dënuar me 3 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas të mitur pasi dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grusht një të mitur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-arrestuan në flagrancë shtetasin A. N., 48 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-referuan materialet në Prokurori dhe shpallen në kërkim shtetasin L. B, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një banesë. Punohet për kapjen e tij dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin L. R., 32 vjeç, pasi gjatë kohës që ka qenë duke ngritur me autovinç një strukturë metalike, kjo e fundit është shkëputur dhe ka goditur në këmbë shtetasin S. V., 53 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Specialistët e qarkullit rrugor arrestuan shtetasin A. R., 53 vjeç, pasi ka humbur kontrollin mbi automjetin të cilin dyshohet se e drejtonte në gjendje të dehur dhe për pasojë automjeti është përplasur 2 automjete, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

me datë 20.11.2025:
-Shtetasi L. F. kallëzoi se nga portali e-Albania i janë gjeneruar dokumente pa autorizimin e tij. Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe po punon për sqarimin e rrethanave;
-J. G, kallëzoi se në rrjete sociale i është hapur një llogari false. Policia ka identifikuar autorin e dyshuar të rastit dhe vijojnë me veprime procedurale;
-është çuar për mjekim një 22-vjeçare, pasi dyshohet se në gjendje të rënduar psikologjike ka gërvishtuar lehtë veten. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Scam platform”.

I morën një shtetasi shqiptar, nëpërmjet mashtrimit, kriptomonedhat nga llogaria kriptofinanciare, dhe nuk i dhanë vlerën e tyre (10 000 €), vihen në pranga 2 shtetas kinezë.

Si rezultat i hetimeve është identifikuar bashkëpunëtori i 2 shtetasve kinezë, posedues i llogarisë kriptofinanciare në Hong Kong, ku u transferuan kriptomonedhat e shtetasit shqiptar.

Vihen në hetim shtetasi që u mashtrua, si dhe 2 shtetas të tjerë, për përfshirje në mënyrë të kundërligjshme, në këtë aktivitet financiar.

Sekuestrohen 10 000 euro që kishin siguruar 2 të arrestuarit, për të mashtruar shtetasin shqiptar, që të bënte transaksionin, si dhe 5 celularë.

Si rezultat i punës hetimore dhe operative të kryer me objektiv parandalimin dhe goditjen e krimeve kibernetike dhe rasteve të mashtrimit të qytetarëve në këtë fushë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1 finalizuan operacionin “Scam platform”, gjatë të cilit:

-u arrestuan shtetasit kinezë, X. Zh., 20 vjeç dhe X. Zh., 58 vjeç, të dy banues në Tiranë;
-u proceduan penalisht shtetasit A. S., 30 vjeç, J. Sh., 30 vjeç dhe A. Zh., 25 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se 2 shtetasit kinezë i kanë dhënë në ambientet e një lokali, 10 000 euro, shtetasit A. S., në këmbim të kriptomonedhave që ka patur ky i fundit, në llogarinë e tij kriptofinanciare. 2 të arrestuarit i kanë transferuar kriptomonedhat, në llogarinë e bashkëpunëtorit të tyre, në Hong Kong, por e kanë mashtruar 30-vjeçarin se transaksioni nuk ishte kryer dhe për këtë arsye ia kanë rimarrë 10 000 eurot. Bashkëpunëtori i 2 shtetasve kinezë është identifikuar, por për shkak të hetimit ende në vijim, nuk bëhen të njohura gjenealitetet e tij.

Ndërkaq, për 3 shtetasit e tjerë nisi procedimi penal, mbi dyshime se janë përfshirë ilegalisht, në administrim dhe këmbim kriptomonedhash.

Punohet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. T., 46 vjeç, banues në Pogradec, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin P. A., 49 vjeç, banues në fshatin Bitinckë, pasi duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar lehtë shtetasin J. H., 61 vjeç, këmbësor.

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.11.2025, për kanosjen e një 38-vjeçareje, nëpërmjet mesazheve në celular, bëjmë me dije se shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë kapur shtetasin K. H., 25 vjeç, i shpallur në kërkim për këtë rast. U referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. H. dhe për shtetasin S. M., 22 vjeç, që qarkullonte në automjet me të.

Në Komisariatin e Policisë Maliq, ka kallëzuar shtetasi N. B., 58 vjeç, banues në Maliq, se në banesën e tij të vjetër janë vjedhur sende shtëpiake dhe vegla pune. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Qarku Kukës

PKK Morinë/Kapet 1 shtetas i shpallur në kërkim për krime kundër mjedisit.

Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të punës për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, ndaluan në hyrje të RSh-së, shtetasin G. O., 55 vjeç, banues në Kukës, i cili ishte shpallur në kërkim policor nga Komisariati i Policisë Kukës, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve elektrike”. Më datë 16.11.2025, në fshatin Myç Mamëz, janë konstatuar pemë të prera, punime ndërtimi pa leje dhe lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Kukës shpallën në kërkim shtetasit M. D., 29 vjeç, dhe B. D., 32 vjeç (vëllezër), banues në fshatin Çam, pasi në fshatin Çam, dyshohet se në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë të paidentifikuar, kanë goditur me grushte dhe me shkelma, kushërinjtë e tyre, shtetasit A. D., 51 vjeç, O. D., 48 vjeç dhe N. D., 23 vjeç. Të dëmtuarit kanë marrë asistencë mjekësore dhe janë larguar në banesë. Vijon puna për kapjen e 2 vëllezërve të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Tropojë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin H. B., 62 vjeç, banues në fshatin Margegaj, pasi ka kallëzuar shtetasi G. B., se ka konflikt me shtetasin H. B., pasi ai ka bllokuar rrjedhën e përroit të fshatit.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Has referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. G., 42 vjeç, banues në Krumë, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar dhe kontrolluar automjetin e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin G. B., 28 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Z., 40 vjeç, banues në fshatin Frashër, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur një shtetas 15 vjeç, i cili pasi ka marrë asistencë mjekësore, është larguar në banesë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. H., 22 vjeç, banues në fshatin Çermë Sektor dhe për një shtetas 17 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte, një shtetas 15 vjeç.

Dje, kallëzoi shtetasi E. V., se më datë 17.11.2025, ishte larguar nga banesa xhaxhai i tij, shtetasi Dh. V., 63 vjeç. Punohet për gjetjen e 63-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin E.H., 40 vjeç, banues në Burrel, i cili, teksa drejtonte automjetin e tij në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me barrierat anësore të Urës së Vashës. Si pasojë, ka mbetur i lënduar lehtë drejtuesi i mjetit, si dhe pasagjeri, shtetasi D.R., i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko–Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin H. C., 60 vjeç, banues në fshatin Majtarë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në stallën e bagëtive, në pronësi të tij, u gjetën 4 krerë bagëti pa numër matrikullimi dhe pa të dhëna mbi origjinën e mallit të ruajtur prej tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin O. M., 63 vjeç, banues në fshatin Luzni, pasi, për motive të dobëta, ka goditur me grushte shtetasin F. D.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin E. D., 39 vjeç, banues në Sarandë, pasi më datë 19.11.2025, në lagjen nr. 1, Sarandë, për motive të dobëta është konfliktuar me shtetasin G. L., 43 vjeç. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj shtetasit E. D., iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë).

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Konispol, në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 13.11.2025, në Konispol, ku u godit me mjete të forta dhe u dëmtua shtetasi E. K., 18 vjeç, si dhe automjeti i tij, kapën shtetasit e shpallur në kërkim F. A., 18 vjeç, O. L., 19 vjeç, si edhe një shtetas të mitur 17 vjeç.
Pas konsultimit me Prokurorin e rastit, këta shtetas do të hetohen penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim. Vijon puna edhe për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasit N. D.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rent house”, goditet një rast i prostitucionit.

Vihet në pranga një 23-vjeçare, shtetase braziliane, që ushtronte prostitucion në një apartament që e kishte marrë me qira.

Vihet në pranga 1 shtetas, për prostitucion dhe organizim të lojërave të fatit.

Procedohet penalisht shtetasja që i kishte dhënë me qira apartamentin, 23-vjeçares.

Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, dhe 3 celularë.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar në informacionet e sigurura në rrugë operative, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Rent house”.

Si rezultat i këtij operacioni u zbulua një apartament në rrugën “Kardinal Mikel Koliqi”, ku ushtrohej prostitucion.

Në kuadër të operacionit u arrestuan 2 shtetas u kapën në ambientet e apartamentit, konkretisht:
-shtetasja braziliane D. G., 23 vjeçe, e cila kishte marrë me qira apartamentin dhe e kishte përshtatur për ushtrimin e prostitucionit;
-H. H., 28 vjeç. Gjatë veprimeve proceduriale u dekumentua aktiviteti i lojrave të fatit.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen B. B., 34 vjeçe, administratorja e apartamentit, për veprën penale ”Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Durrës / Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet operacioni policor i koduar “CLEANING 3”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit.

Vihen në pranga 12 shtetas, ndërmjet tyre edhe organizatori i grupit, dhe vijon puna për kapjen edhe të një shtetasi tjetër, pjesëtar i këtij grupi.

Sekuestrohet kokainë, kanabis, peshore elektronike, municion luftarak, armë të ftohta dhe 16 aparate celular.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, si dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës së Posaçme Operacionale të kësaj Drejtorie, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “CLEANING 3”.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, mbi bazën e informacioneve policore, ka ndjekur me metoda speciale të hetimit procedimin penal nr. 880, i vitit 2025, ku si rezultat i hetimeve në kuadër të operacioneve policore të koduara “CLEANING 1” dhe “CLEANING 2” janë arrestuar disa shtetas për veprën penale “Shpërndarja e lëndëve narkotike”, në afërsi apo pranë shkollave në qytetin e Durrësit.

Në kuadër të këtij procedimi penal, në vijim të hetimeve dhe provave të siguruara, është bërë i mundur zbulimi, identifikimi dhe dokumentimi ligjor i veprimtarisë kriminale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Gjatë operacionit, shërbimet policore të DVP Durrës kanë ekzekutuar urdhër-arrestet e lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masë sigurie ”Arrest në burg”, për 12 shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, konkretisht:

F. A., 30 vjeç (i dyshuar si organizator). Në ngarkim të tij janë vendosur gjithashtu veprat penale: “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

B. O., 32 vjeç; A. P., 24 vjeç; E. Sh., 19 vjeç; T. D., 36 vjeç; F. C., 31 vjeç; G. K., 27 vjeç; I. H., 35 vjeç; S. Sh., 58 vjeç; I. D., 38 vjeç; dhe shtetasit M. K., 29 vjeç, dhe V. Sh., 20 vjeç, në ngarkim të të dyve është vendosur edhe vepra penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi B. M., me masë sigurie “Arrest në burg”, dhe vijon puna për kapjen e tij.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 180 doza kokainë me peshë totale 100 gramë; 620 doza lëndë narkotike marijuanë me peshë totale 1.25 kilogramë; 2 peshore elektronike; 16 telefona celularë; 3 armë të ftohta (thika); 1 përforcues grushti dhe fishekë luftarakë.

Nga hetimet dhe provat e siguruara rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike në afërsi apo pranë shkollave (gjimnazeve) të qytetit të Durrësit.

Materialet procedurale, në ngarkim të personave të mësipërm, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale.