DVKM Shkodër/Goditet një rast i kontrabandës së mallrave.
U kap në flagrancë në aksin rrugor “Shkodër–Muriqan”, duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Mali i Zi, arrestohet 46-vjeçari.
Procedohen penalisht 2 doganierë të PKK Muriqan, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sekuestrohen mallrat e kontrabanduara, me vlerë rreth 5000 euro, dhe automjeti.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për kontrabandë mallrash, shërbimet e DVKM Shkodër kanë ndaluar në aksin rrugor “Shkodër–Muriqan” automjetin me drejtues shtetasin F. L., i cili me automjetin e tij po transportonte mallra kontrabandë, në sasi 352 kuti ( 8448 kanace) pije freskuese.
Në vijim të veprimeve për këtë rast:
– u arrestua në flagrancë shtetasi F. L., 46 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”;
– u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit I. K., 32 vjeç, dhe G. K., 53 vjeç, të dy me detyrë kontrollorë në doganën e Muriqanit.
Mallrat dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

