Malësi e Madhe/Kanosën me armë zjarri pistoletë dhe goditën me sende të forta një 42-vjeçar, vihen në pranga 2 vëllezër dhe shpallet në kërkim 1 shtetas

Malësi e Madhe/Kanosën me armë zjarri pistoletë dhe goditën me sende të forta një 42-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihen në pranga dy vellezër dhe shpallet në kërkim një 34-vjeçar.

Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, si dhe 4 automjete.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në aksin rrugor “Koplik – Shkodër” një shtetas ishte kanosur me armë zjarri, organizuan punën për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit Gj. Gj., 63 vjeç, dhe P. Gj., 51 vjeç, banues në fshatin Bajzë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. Gj., 34 vjeç, banues në fshatin Bajzë.

Nga hetimet dyshohet se këta 3 shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të automjetit dhe pas ndalimit në afërsi të rrethrrotullimit në hyrje të qytetit të Koplikut, kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime shtetasit E. T.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.