Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Game Over”

Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Game Over”, goditet një rast i organizimit të paligjshëm i lojërave të fatit në një lokal, në qytetin e Vlorës.

Arrestohen në flagrancë pronari dhe administratori i lokalit, të cilët organizonin lojëra fati me kompjutera dhe çipsa pokeri.

Sekuestrohen 7 pajisje kompjuterike, një valixhe me çipsa dhe një përforcues metalik grushti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe në kuadër të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në fushën e lojërave të fatit, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Game Over”.

Gjatë operacionit të zhvilluar, në lagjen “24 Maji”, në ambientet e një lokali në pronësi të shtetasit A. L., 32 vjeç, u konstatua se zhvillohej aktivitet i kundërligjshëm i organizimit të lojërave të fatit.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit:
• A. L., 32 vjeç, pronar i ambientit;
• S. T., 42 vjeç, administrator i lokalit.

Gjatë kontrollit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 pajisje kompjuterike të përdorura për lojëra fati, 1 valixhe me çipsa pokeri dhe 1 përforcues metalik grushti.

Gjithashtu, gjatë verifikimeve rezultoi se shtetasi A. L. ishte shpallur në kërkim nga DVP Berat, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.