Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor i koduar “Smart Bank Phishing”, për goditjen e një rasti të mashtrimit kompjuterik

Policia e Shtetit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Smart Bank Phishing”, për goditjen e një rasti të mashtrimit kompjuterik.

Vihet në pranga autori kryesor i rastit, si dhe procedohen 2 shtetas të tjerë.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe në koordinim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Smart Bank Phishing”.

Në kuadër të operacionit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit O. Gj., 21 vjeç, banues në Laç, si dhe u proceduan penalisht, në gjendje të lirë, shtetasit D. G., 23 vjeç dhe E. Gj., 21 vjeç.

Shtetasi O. Gj. kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, duke përdorur logon dhe emrin e Bankës Kombëtare Tregtare, me qëllim mashtrimin e qytetarëve. Ai kontaktonte persona të ndryshëm përmes platformave online, duke iu ofruar kredi të rreme në emër të bankës.
Nëpërmjet mashtrimit, qytetarët e kontaktuar, klient të bankave të ndryshme, i jepnin vetë kredencialet e tyre të aksesit bankar, të cilat autori i përdorte për të hyrë në llogaritë e tyre dhe për të transferuar apo boshatisur fondet.

Në rastet kur llogaritë nuk kishin mjete monetare, autori i shtynte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1 500 euro, me premtimin e rremë se do të përfitonin kredi prej 15 000 eurosh.

Theksohet se nuk ka pasur asnjë komprometim apo problem sigurie në sistemet e Bankës Kombëtare Tregtare. Mashtrimi është kryer vetëm nëpërmjet komunikimeve të rreme dhe dhënies së të dhënave personale nga qytetarët e mashtruar.

Falë bashkëpunimit të ngushtë mes ekspertëve të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, u bë i mundur ndalimi i autorit kryesor dhe ndërprerja e veprimtarisë së paligjshme.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mashtrim kompjuterik”, “Ndërhyrje kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i thirrjeve telefonike”.