15 vjet nga rënia në krye të detyrës, përkujtohet Dëshmori i Atdheut Pajtim Alistafaj

Policia e Shtetit/Nder dhe lavdi sakrificës së Dëshmorit të Atdheut Pajtim Alistafaj!

Me rastin e 15-vjetorit të rënies në krye të detyrës të ish-punonjësit të Policisë Nënkomisar Pajtim Alistafaj, të shpallur Dëshmor i Atdheut, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit zhvilloi ceremoni përkujtimore.
Në ceremoni morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, ish-kolegë të Nënkomisar Alistafajt, miq dhe familjarë të tij.

Fillimisht, për të përkujtuar dhe nderuar sakrificën e ish-punonjësit të Policisë, te Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, aty ku prehet Nënkomisar Alistafaj, u vunë kurora me lule.

Më pas, te ish-Stacioni i Policisë në qytetin “Studenti”, u vendos pllakë përkujtimore në nderim të Dëshmorit të Atdheut. Në vitet 2007–2010, Nënkomisar Alistafaj shërbeu si Shef i Stacionit të Policisë së qytetit “Studenti”.

Nënkomisari shënoi historinë e Policisë nëpërmjet kontributit të tij të çmuar për konsolidimin e rendit dhe të sigurisë në këtë zonë specifike dhe të rëndësishme të qytetit të Tiranës.
Gjithashtu, ai kishte rol kyç në ngritjen dhe forcimin e urave të bashkëpunimit me qytetarët dhe në mënyrë të veçantë, me të rinjtë.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë kushtuar Dëshmorit të Atdheut, Drejtori i Përgjithshëm u shpreh:
“Pajtimi ishte një nga ata njerëz të rrallë që uniformën nuk e vishte vetëm në trup, por e mbante në shpirt. Nga auditorët e Akademisë, te shërbimi në qytetin “Studenti” dhe më pas në çdo rrugë të vendit, Pajtimi e ktheu çdo detyrë në mision, çdo ditë pune në sakrificë për jetën dhe sigurinë e të tjerëve.
Për mua, humbja e tij nuk është vetëm institucionale, ajo është personale. E kam njohur si shok, si koleg, si njeri me zemër të pastër dhe me karakter të fortë. Humbja e tij la boshllëk në familje dhe në radhët e Policisë, por kujtimi i tij është bërë dritë që ndriçon rrugën tonë, sepse shembujt si ai nuk shuhen, ata kthehen në frymëzim, në betim të përditshëm për secilin prej nesh që mban këtë uniformë me nder.
Policia e Shtetit ka humbur një bir të denjë, por ka fituar një simbol që na kujton se siguria ka emra, ka fytyra, ka jetë që janë dhënë për të.
Ne jemi këtu për ta nderuar Pajtimin, jo vetëm për atë që bëri, por për atë që na la pas, një kujtim që të jep forcë dhe një emër që ngjall krenari.

Një nga objektivat e mi kryesorë si Drejtor i Përgjithshëm është që unë dhe familja jonë e madhe, Policia e Shtetit, të qëndrojmë pranë familjeve të Dëshmorëve, t’i mbështesim me dinjitet, me vëmendje dhe me mirënjohje të përhershme. Sakrifica e Pajtimit dhe e të gjithë kolegëve tanë të rënë, është themeli mbi të cilin ndërtojmë çdo ditë besimin dhe sigurinë e qytetarëve.”

Ndërkaq, motra e Dëshmorit të Atdheut, oficerja e Policisë Adriana Alistafaj, mes emocionesh, u shpreh gjatë ceremonisë:
“Pajtimi nuk ishte vetëm një punonjës policie, ishte njeri me shpirt të madh, i drejtë, i dashur dhe i përkushtuar ndaj çdo detyre që merrte përsipër. Ai besonte se forca e policit qëndron në përulësinë dhe në dashurinë për njerëzit të cilëve iu shërben.
Për ne, Pajtimi mbetet një mision, dhe atë mision e çoi deri në fund, me jetën e tij.
Sot e kujtojmë me nder, jo vetëm rënien e tij, por dhe jetën e tij, shembullin e tij që frymëzon çdo punonjës të Policisë së Shtetit.
Si motra e tij dhe si pjesë e Policisë së Shtetit, ndjej krenari të thellë që vijoj rrugën që ai nisi. Çdo ditë ndjej sikur një pjesë e tij ecën bashkë me mua, më udhëzon dhe më kujton se kjo detyrë është më shumë se punë, është besë, nder dhe sakrificë.
Ai është frymëzimi im dhe i shumë të rinjve që kanë zgjedhur të shërbejnë me dinjitet për vendin tonë.
Pajtimi është Dëshmor i Atdheut, por për mua do të jetë gjithmonë vëllai im i dashur, i cili me buzëqeshjen e tij të qetë, më mësonte të mos dorëzohesha kurrë.
Sot dua t’i them me zë të plotë, vëlla, ne jemi krenarë për ty.”

Figura si ajo e Dëshmorit të Atdheut Pajtim Alistafaj janë stimuli më i fortë për punonjësit e Policisë, që të vijojnë të palëkundur misionin e tyre për garantimin e ligjit dhe zbatimin e të drejtave të qytetarëve.

Gjithashtu, përbën obligim qytetar respektimi i figurës së punonjësit të Policisë, si dhe bashkëpunimi me ta, në shërbim të misionit të përbashkët dhe madhor, garantimin e sigurisë publike.