Tiranë/Policia vijon takimet ndërgjegjësuese në shkolla, në kuadër të programit “Siguria e të rinjve”

Tiranë/Policia vijon takimet ndërgjegjësuese në shkolla, në kuadër të programit “Siguria e të rinjve”.

Në vijim të zbatimit të programit “Siguria e të rinjve”, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë zhvilluan takime sensibilizuese në disa shkolla të kryeqytetit, me nxënës të cikleve 9-vjeçare dhe të mesme.

Qëllimi i këtyre takimeve është rritja e ndërgjegjësimit të nxënësve për pasojat që sjellin bullizmi, bullizmi kibernetik dhe dhuna në shkollë.

Gjatë bashkëbisedimeve me nxënësit, punonjësit e Policisë theksuan rëndësinë e respektit reciprok, të komunikimit pozitiv dhe të raportimit të çdo forme dhune, bullizmi apo sjelljeje që cenon sigurinë personale dhe mjedisin shkollor.

U ndanë shembuj konkretë nga praktika e punës policore, për të treguar si mund të parandalohet përfshirja në situata të rrezikshme, sidomos në mjedisin online.

Gjithashtu, u vu theksi tek bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet nxënësve, mësuesve, prindërve dhe Policisë, për të ndërtuar një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm për të rinjtë.

Takime të tilla do të vijojnë periodikisht në të gjitha shkollat e qarkut Tiranë, me synim forcimin e sigurisë dhe parandalimin e çdo forme dhune apo sjelljeje të dëmshme tek të rinjtë.