Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, gjatë takimit sensibilizues në Shkodër në mbështetje të Policisë, ka theksuar se kjo është nisma e duhur për të krijuar sëbashku një ambient sa më të sigurt.
Drejtori Veliu ka theksuar se tashmë qytetari është aleati më i rëndësishëm i Policisë së Shtetit. Prej Janarit e deri sot janë dhjetëra e qindra raste ku qytetarët në të gjithë vendin kanë denoncuar paligjshmërinë në fushën e narkotikëve, të armëmbajtjes pa leje, organizimit të lotarive të palejuara, krimeve mjedisore, në parandalimin e konflikteve me pasoja të rënda për jetën, si dhe në fushën e sigurisë rrugore.
Veliu ka kërkuar besimin dhe mbështetjen e qytetarëve e sidomos të brezit të ri, që ata të kontribuojnë në adresimin e paligjshmërisë tek Policia e Shtetit, duke iu garantuar anonimatin.
Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit
“Sheh diçka, thuaj diçka”
Është pikërisht kjo mënyra e duhur për të qenë një hap me afër nesh.
Iniciativë shumë domethënëse e ndërmarrë nga Prefekti i Qarkut. Iniciativë që duhet përqafuar nga të gjithë, pasi Policia është në luftë të pandërprerë me krimin, por pa mbështetjen tuaj e ka më të vështirë.
Me moton “Sheh diçka, thuaj diçka”, Policia amerikane iu drejtua popullit për të implementuar policimin në komunitet. Forma të ngjashme kanë përdorur homologët tanë në të gjithë botën, për të fituar besimin e qytetarëve.
Po pse një hap i tillë është më i sigurt për ju dhe për ne?
Sepse indiferentizmi nuk është mënyra e duhur dhe aq më pak heshtja, kur përballemi me krimin.
Siguria është një kontribut i secilit prej nesh. Jemi qytetarë të këtij vendi dhe kemi përgjegjësinë e sigurisë së personit krah nesh e përballë nesh.
Ndihmo dhe përcillja informacionet Policisë, sepse në këtë mënyrë ne vijmë pranë jush më shpejt dhe parandalojmë pasojat, të cilat mund të kenë pasur një drejtim fatal.
Tërheqja dhe mospërfshirja është mënyra më e thjeshtë, por pa dyshim, është mënyra më e pasigurt. Shpërndarja e përgjegjësive nuk tregon mbështetje. Në rast se qytetarët veprojnë për atë çka shohin, përcjellin informacion, kanë bërë hapin e duhur, hapin që sjell siguri.
Numri 112 që keni në dispozicion është aq i lehtë sa edhe fjala juaj. Fol dhe ruaj sigurinë, për të cilën po luftojmë të gjithë. Numri 112 është zëri yt.
Ne jemi këtu, jemi pjesë e juaja, askush prej jush s’është vetëm, ndaj jemi këtu për t’ju ndihmuar e për të na ndihmuar, që të rrisim parametrat e sigurisë së jetës.
Denonconi në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital, rastet e paligjshmërisë, në çdo fushë ku konstatoni paligjshmëri, por jo vetëm.
Denonconi punonjësit e Policisë që nuk meritojnë besimin tuaj, që nuk meritojnë të paguhen nga taksat tuaja, që shpërdorojnë besimin tuaj.
Ju garantoj anonimatin dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.
Prej Janarit e deri sot, janë dhjetëra e qindra raste ku qytetarët në të gjithë vendin kanë denoncuar paligjshmërinë në fushën e narkotikëve, të armëmbajtjes pa leje, organizimit të lotarive të palejuara, krimeve mjedisore, në parandalimin e konflikteve me pasoja të rënda për jetë, si dhe në fushën e sigurisë rrugore.
Tashmë qytetari është aleati më i rëndësishëm i Policisë së Shtetit.
Besoni dhe na mbështesni. Bashkë mund të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë.
Ju falënderoj paraprakisht dhe jam i sigurt se ky bashkëpunim do të rezultojë i suksesshëm.
Ju faleminderit!