Berat
Mashtronte në rrjete sociale, mbi përbërjen dhe efektet e një kremi që prodhonte në kundërshtim me rregullat, procedohet penalisht 30-vjeçarja.
Sekuestrohen nga banesa që 30-vjeçarja kishte marrë me qira, për përgatitjen e kremit, sasi të këtij të fundit dhe sende ambalazhuese (kuti dhe etiketa).
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, menjëherë pas denoncimit të gazetarëve të emisionit “Stop”, për një rast mashtimi me produkte, të evidentuar në rrjete sociale, organizuan punën për nxjerrjen e autorit/ëve, përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimoro-procedurale, të kryera në koordinim me Prokurorinë e Beratit, u mundësua identifikimi i mbajtëses së llogarive në Facebook dhe Instagram, nëpërmjet të cilave kryhej mashtrimi, shtetases S. D., 30 vjeçe, banuese në fshatin Bilçë, për të cilën nisi procedimi penal, për veprat “Fshehja e të ardhurave”, “Mashtrimi” dhe “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se kjo shtetase, në banesën e marrë me qira, në fshatin Bilçë, përgatiste në mënyrë artizanale (duke përzier vajra), në kundërshtimin me rregullat specifike për prodhimin/tregtimin e produkteve mjekësore/industriale, një krem, për të cilin mashtronte, duke reklamuar në rrjete sociale, se kishte efekte shëruese mbi sëmundje të lëkurës.
Produkti shitej brenda dhe jashtë vendit, nëpërmjet shërbimit postar privat, duke fshehur të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet ekonomik.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat falënderon gazetarët e emisionit “Stop” për bashkëpunimin për këtë rast, si dhe fton mediat dhe qytetarët, që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, duke kontribuar te siguria e konsumatorit dhe te siguria publike në përgjithësi.
