Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Several”, goditen 2 raste të armëmbajtjes pa leje dhe 1 rast i përshtatjes së lokaleve për përdorimin/shitjen e lëndëve narkotike.
Sekuestrohen 2 armë zjarri (kallashnikov e pistoletë), municion luftarak, 1 jelek antiplumb, lëndë narkotike, 2 automjete, 7 celularë dhe 2 armë të ftohta.
-Posedonte 1 armë zjarri kallashnikov dhe kokainë në automjet, vihet në pranga 31-vjeçari. Ky shtetas dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 29-vjeçare.
-Posedonte 1 armë zjarri, 1 jelek antiplumb dhe 2 armë të ftohta, në lokalin e tij, vihet në pranga 24-vjeçari.
Vihen në pranga dhe 5 shtetas të tjerë, klientë në lokal, për moskallëzim krimi.
Shërbimet e Komisariatit Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin policor të koduar “Several”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit:
-A. M., 31 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Marrëdhënia seksuale me dhunë me të rritura”;
-E. K., 24 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e ambienteve për përdorim të lëndëve narkotike” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”;
-E. K., 23 vjeç, A. P., 25 vjeç, S. C., 28 vjeç, K. R., 24 vjeç dhe A. H., 26 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Shtetasi A. M. dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një 29-vjeçare, në automjetin e tij, dhe më pas ka shkuar në lokalin e shtetasit E. K., ku dyshohet se konsumohej dhe shitej lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit në lokal u gjetën të fshehura 1 armë zjarri pistoletë, 1 jelek antiplumb dhe 2 shkopa bejsbolli, ndërsa gjatë kontrollit në automjetin e shtetasit A. M. u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe një sasi kokaine.
5 shtetasit e tjerë të arrestuar, të pranishëm në lokal në momentin e ndërhyrjes së Policisë, dyshohet se kanë patur dijeni për këtë veprimtarinë kriminale në lokal, por nuk kanë kallëzuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
