Policia e Shtetit, gjatë muajit tetor 2025

Policia e Shtetit, gjatë muajit tetor 2025

Angazhim 24/7 në terren, punë e pandërprerë operacionale dhe hetimore e strukturave të Policisë së Shtetit, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve me rrezikshmëri shoqërore, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

✅Nëpërmjet zbatimit të planeve të masave, u garantua mbarëvajtja e Konferencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike dhe e disa aktiviteteve sportive me pjesëmarrje të lartë, që u zhvilluan në Tiranë, gjatë muajit tetor.

Punonjës të trajnuar të Policisë së Shtetit kanë zhvilluar çdo ditë, takime me nxënësit e shkollave në të gjithë vendin, në kuadër të programit kombëtar “Siguria e të rinjve”, me qëllim informimin e tyre mbi tema si dhuna, bullizmi, trafikimi i qenieve njerëzore, siguria në internet etj.

✅Në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit për Tetorin Rozë, u zhvilluan aktivitete informuese dhe sensibilizuese në shkolla dhe në komunitet, për të nxitur gratë dhe vajzat, për kryerjen e kontrolleve të hershme, me qëllim parandalimin e kancerit të gjirit.

Si rezultat i punës intensive të kryer gjatë muajit tetor:

✅U finalizuan 110 operacione policore, 24 prej tyre në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar;

✅U vunë në pranga 572 shtetas, të dyshuar për vepra penale të ndryshme;

✅Bashkëpunimi intensiv i Policisë së Tiranës me partnerët ndërkombëtarë dhe mbështetja nga disa projekte ndërkombëtare, finalizoi një operacion që goditi një grup kriminal që trafikonte femra nga vendet e Amerikës Latine dhe Azisë Qendrore, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion, në Shqipëri.

✅Gjithashtu, Policia e Tiranës dhe e Durrësit goditën 5 raste të tjera të shfrytëzimit të femrave për prostitucion. Organizatorët e veprimtarisë kriminale u vunë në pranga, pasi u zbuluan ambientet ku kryhej veprimtaria, në këto dy qytete.

✅U asgjësuan 10 300 bimë narkotike, si dhe u sekuestruan rreth 201 kg kanabis, 8 pako kanabis në trajtë xhelatine, rreth 2 kg kokainë, dhjetëra doza të këtyre lëndëve dhe të heroinës;

✅Policia e Tiranës zhvilloi operacionin “Quality”, për goditjen e një rasti të trafikimit nga Tajlanda, të 61 kg kanabis me përqindje të lartë THC-je, që u sekuestrua në aeroportin e Rinasit, dhe operacionin “Kombinimi”, gjatë të cilit u zbulua një banesë ku kultivoheshin bimë narkotike, me llamba, si dhe u sekuestrua një arsenal armësh shpërthyese.

✅Gjatë operacioneve “Improvizimi” dhe “Processing” u zbuluan në dy fshatra, në Krujë dhe në Mirditë, 2 parcela ku ishin kultivuar bimë narkotike kanabis dhe 2 ambiente ku thaheshin bimët narkotike dhe përgatiteshin për shitje.

✅Gjatë muajit tetor janë sekuestruar 57 armë zjarri (5 prej tyre me snajper), 4 silenciatorë, 16 armë gjahu/sportive, sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 4 kallëpe tritol, 7 fitila detonatorë, granata dhe ndezës për to, 35 armë të ftohta, pajisje për shpërthim në distancë, pajisje për bllokimin e valëve dhe pajisje gjurmuese, veshje dhe mjete pune si të Policisë.

Policia e Tiranës finalizoi me sukses një operacion për parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale që mund të kryheshin me armë zjarri. Gjatë operacionit u zbulua një bazë me një arsenal të madh armësh dhe municioni luftarak.

✅Policia e Elbasanit, gjatë operacionit të koduar “Fast”, kapi në një lokal në Bradashesh, 14 shtetas me rrezikshmëri shoqërore, të cilët posedonin aty dhe në banesa, armë zjarri, veshje si të Policisë dhe armë të ftohta.

✅2 shtetas më rrezikshmëri të lartë shoqërore, u kapën në Tiranë dhe u vunë në pranga nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, gjatë operacioneve “Ghosts” dhe “Identikiti”.

✅Strukturat për hetimin e krimeve ekonomike zbuluan në Tiranë:
-1 spital privat ku kryheshin krime ekonomike dhe krime kundër shëndetit, pasi përdoreshin produkte të ndaluara dhe nuk deklaroheshin fitimet. Në kuadër të operacionit “Bilanci”, u sekuestrua spitali në Zog të Zi (objekt me vlerë rreth 3 milionë euro);
-1 klinikë dentare ku kryhej evazion fiskal dhe shërbehej me produkte të skaduara. Në këtë subjekt u sekuestruan produkte të skaduara, pa fatura zhdoganimi, me vlerë rreth 100 000 euro;
-1 subjekt (call center) ku mashtroheshin qytetarë, për të investuar në bursa fiktive. Në kuadër të operacionit “SCAMS” u sekuestruan 106 710 euro, 700 000 lekë, 51 njësi kompjuterike dhe 14 celularë.

✅Strukturat e DVP Lezhë, në zbatim të 2 vendimeve të GJKKO-së, konfiskuan 20 pasuri të paluajtshme në qarkun Lezhë (sipërfaqe toke), në total 98 525 m2, të përfituara nga veprimtari kriminale.

✅Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandaloi përshkallëzimin e konflikteve me armë, me mjete prerëse apo konflikte në familje, në 6 raste;

✅Si rezultat i hetimeve profesionale, u zbardhën 12 ngjarje kriminale, si: vrasje, tentativë për vrasje, plagosje, djegie automjeti, vënie lënde plasëse në një subjekt dhe kanosje me qëllim dhënies e parave;

✅Strukturat për hetimin e krimeve ekonomike, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare, kanë goditur 12 raste të kontrabandës dhe të mosdeklarimit të parave, në kufi. U sekuestruan mallra me vlerë rreth 56 milionë euro dhe 155 000 euro të padeklaruara.

✅U finalizuan 5 operacione për goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufijve. 2 prej tyre u zhvilluan në port Durrës, ku u kapën të fshehur në kamionë, 8 shtetas që synonin të kalonin ilegalisht në Itali, 2 nga të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar.

✅ Më tej, u finalizuan:
-25 operacione kundër vjedhjes;
-5 operacione kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit;
-1 operacion në favor të sigurisë ushqimore.

✅U goditën 160 raste të ndërtimeve të paligjshme në të gjithë vendin dhe 6 raste raste të gjuetisë së paligjshme. U bllokuan 7 armë gjahu dhe municion për to.

✅Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me mjete bashkëkohore, kanë vijuar kontrollet në të gjitha akset e vendit, me qëllim konstatimin e shkeljeve rrugore që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës.

Në këtë kuadër:
-janë vënë në pranga 204 drejtues mjetesh, nga të cilët 145 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 59 për drejtim mjeti pa leje drejtimi;
-janë pezulluar 283 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë;
-janë vënë 14 018 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit. Në këto raste, drejtuesit e automjeteve kanë paguar dyfishin e gjobës maksimale dhe janë penalizuar me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.

✅ Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intensifikuar kontrollet, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi dhe tentativave për lëvizje të paligjshme.

✅Iu dha ndihmë në det, në zonat turistike e malore, 15 shtetasve, kryesisht turistë e vizitorë të huaj, që kishin mbetur të bllokuar, rrezikoheshin nga dallgët apo kishin humbur orientimin për t’u kthyer në destinacion.

✅Në pikat e kalimit kufitar, janë evidentuar dhe goditur:
-51 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve;
-14 raste të tentativës për të kaluar kufijtë me dokumente false;
-11 raste të mosdeklarimit të shumave të parave;
-10 raste të kontrabandës së mallrave;
-6 raste të trafikimit të lëndëve narkotike;
-4 raste të trafikimit të mjeteve motorike.

Policia e Shtetit garanton qytetarët dhe partnerët se, nëpërmjet bashkëpunimit me ta dhe shfrytëzimit të të gjitha kapaciteteve që ka në dispozicion, është maksimalisht e angazhuar për të garantuar rend dhe siguri.

Ftojmë qytetarët që të denoncojnë menjëherë, në njësitë fizike të Policisë ose në numrin 112, çdo paligjshmëri që hasin.

#Tetor2025
#Policianënjëmuaj ✅
#AngazhimPërkushtimSakrificë
#Përtëmirënepërbashkët