Vlorë/15-vjetori i rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, Roland Likaj.
Me nderim dhe mirënjohje, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë përkujtoi sot 15-vjetorin e rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, Roland Likaj.
Në ceremoninë e zhvilluar në nder të tij, morën pjesë Prefektja e Qarkut Vlorë, familjarë të Dëshmorit, drejtues e punonjës të policisë Vlorë, si dhe miq e kolegë që ndanë kujtime e vlerësime për figurën e tij.
Në fjalën e rastit, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtues Elidon Çela, theksoi përkushtimin, ndershmërinë dhe ndjenjën e lartë të detyrës që karakterizuan Dëshmorin Roland Likaj, i cili humbi jetën në krye të detyrës, më 18 tetor 2010, gjatë përballjes me një person të armatosur në lagjen “1 Maj”.
“Roland Likaj nuk e humbi jetën, ai fitoi përjetësinë”, u shpreh ndër të tjera Drejtori Çela, duke theksuar se pastërtia e figurës dhe forca morale e tij mbeten shembull për çdo punonjës policie.
Prefektja e Qarkut, znj. Allushi, në fjalën e saj, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e thellë për veprën dhe kontributin e nënkomisar Roland Likaj, duke theksuar se kujtimi i tij do të mbetet i gjallë si shembull i përkushtimit dhe sakrificës në shërbim të vendit. Gjithashtu, znj. Allushi garantoi mbështetjen e plotë të institucionit të Prefektit për strukturat e Policisë së Shtetit, në përmbushjen me përgjegjësi dhe dinjitet të misionit të tyre fisnik për rendin dhe sigurinë publike.
Në shenjë nderimi, pjesëmarrësit mbajtën një minutë heshtje dhe vendosën kurora me lule pranë varrezave ku prehet Dëshmori i Atdheut, Roland Likaj.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!