Certifikimi i 415 kursantëve të Patrullës së Përgjithshme

Certifikimi i 415 kursantëve të Patrullës së Përgjithshme

Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda:

Mos harroni kurrë, qytetarët janë të parët, silluni me ta me respekt dhe me maturi, si dhe përmbushni çdo detyrë me ndershmëri dhe profesionalizëm! Në çdo situatë, busulla juaj është ligji, jo zgjidhjet personale. Punoni me pasion dhe përulësi!

Keni zgjedhur të shërbeni, të mbroni, si dhe të garantoni rendin dhe sigurinë. Ky është një mision që kërkon ndershmëri, guxim, përkushtim dhe humanizëm. Uniforma që do të mbani veshur është simbol përgjegjësie dhe nderi. Kujtoni gjithmonë që për këtë uniformë kanë dhënë jetën qindra dëshmorë të Policisë dhe të atdheut!

Si Drejtor i Përgjithshëm, do të jem pranë çdo punonjësi të ndershëm e të përkushtuar të Policisë së Shtetit, por po me aq vendosmëri do të qëndroj kundër kujtdo që abuzon me detyrën ose cenon uniformën dhe besimin e qytetarëve.

Urime për certifikimin tuaj dhe mirë se vini në familjen e madhe të Policisë së Shtetit! Ta nderoni uniformën që do të vishni dhe t’i shërbeni me krenari flamurit dhe atdheut! Suksese të gjithëve!