Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit,
Drejtues Madhor Ilir Proda, gjatë ceremonisë së certifikimit të 415 kursantëve të Patrullës së Përgjithshme
E nderuar Ministre e Punëve të Brendshme, znj. Koçiu,
Të nderuar përfaqësues të misioneve që asistoni Policinë e Shtetit,
I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, z. Merkaj,
I nderuar Rektor i Akademisë së Sigurisë, pedagogë dhe lektorë,
Të nderuar familjarë,
Të dashur kolegë të rinj që sot certifikoheni,
Sot padyshim është një ditë e veçantë për Policinë e Shtetit, për Akademinë e Sigurisë, por mbi të gjitha, është dita juaj.
Një ditë që shënon fundin e një etape të rëndësishme përgatitjeje dhe fillimin e një rrugëtimi të ri, në shërbim të qytetarëve dhe të vendit.
Ju keni zgjedhur një profesion të vështirë, por fisnik. Keni zgjedhur të shërbeni, të mbroni, të garantoni rend e siguri.
Ky është një mision që kërkon ndershmëri, guxim, përkushtim dhe humanizëm.
Uniforma që do të mbani veshur është simbol përgjegjësie dhe nderi. Kujtoni gjithmonë se për këtë uniformë kanë dhënë jetën qindra dëshmorë të policisë dhe të atdheut.
Mos harroni kurrë: qytetarët janë të parët.
Silluni me ta me respekt dhe maturi, përmbushni çdo detyrë me ndershmëri e profesionalizëm.
Qytetarët presin shumë nga ju, si brezi i ri i Policisë së Shtetit. Ata presin të shohin një polici më afër tyre, më njerëzore, më profesionale dhe më të drejtë.
Nga ana tjetër, organizata vetë pret që përmes punës suaj të përditshme të forcohet akoma më shumë besimi te Policia e Shtetit.
Në çdo situatë, busulla juaj është ligji, jo zgjidhjet personale.
Punoni me pasion dhe përulësi.
Respektoni hierarkinë, bashkëpunoni me kolegët dhe mos harroni se çdo veprim i juaji është pasqyra e imazhit të institucionit tonë.
Jam i bindur se ju do të jeni shembull i korrektesës, i respektit dhe i vendosmërisë për ta bërë Policinë e Shtetit çdo ditë e më të mirë, më të besuar dhe më moderne.
Si Drejtor i Përgjithshëm, do të jem pranë çdo punonjësi të ndershëm e të përkushtuar të Policisë së Shtetit, por po me aq vendosmëri do të qëndroj kundër kujtdo që abuzon me detyrën, që cenon uniformën dhe besimin e qytetarëve.
Urime për certifikimin tuaj dhe mirë se vini në familjen e madhe të Policisë së Shtetit!
Ta nderoni uniformën që do të vishni dhe t’i shërbeni me krenari flamurit dhe atdheut.
Suksese të gjithëve!