Gjirokastër/Goditet një rast i kontabandës së mallrave

Gjirokastër/Goditet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Gjirokastër, një rast i kontabandës së mallrave.

U kapën në flagrancë në aksin rrugor “Kakavije-Gjirokastër”, duke transportuar me autobus, mallra të ndryshme të kontrabanduara nga Greqia, vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen mallrat e kontrabanduara (produkte deti, medikamente dhe veshje), me vlerë të konsiderueshme dhe autobusi.

Procedohet penalisht një doganier i Degës Doganore Kakavijë, për shpërdorim detyre.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Sektorin Operacional të DVP Gjirokastër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, goditën një rast të kontrabandimit të mallrave nga Greqia.

Për këtë rast u vunë në pranga shtetasit D. M., 45 vjeç, banues në Tiranë dhe R. D., 54 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”.

Në aksin rrugor “Kakavije-Gjirokastër”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar autobusin që këta shtetas e drejtonin me radhë. Gjatë kontrollit në autobus janë gjetur kuti me produkte të ndryshme deti, me peshë rreth 178 kg, 45 kuti me medikamente dhe 159 kuti me këpucë të markave të ndryshme, të cilat dyshohet se i këta shtetas i kanë kontrabanduar nga Greqia.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. H., 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier në Degën Doganore Kakavije, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Mallrat dhe autobusi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.