Sarandë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Deceiver”.
Prezantohej si prokuror, për të përfituar shërbime dhe dokumente, arrestohet 49-vjeçari, i cili dhe në momentin e ndalimit, iu prezantua punonjësve të Policisë, me këtë detyrë.
Ky shtetas ishte në kërkim pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale. Ai ka qenë i dënuar dhe më parë, për mashtrim të disa shtetasve, duke u prezantuar si funksionar publik.
Vihet në pranga dhe një shtetas që strehonte 49-vjeçarin, pasi posedonte në banesë, 1 armë zjarri automatik dhe municion luftarak.
Sekuestrohen arma e zjarrit, municion luftarak, si dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se i ka përdorur 49-vjeçari, në këtë veprimtari kriminale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë, pas marrjes së informacionit se një shtetas prezantohej si funksionar publik, për qëllime përfitimi, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Deceiver”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-A. M., 49 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
-E. Ç., 19 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Nga hetimet dyshohet se duke u prezantuar si prokuror dhe duke i premtuar se do të paguheshin nga institucioni i Prokurorisë, shtetasi A. M. ka punësuar disa shtetas në shërbim të tij, të cilëve ia ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik. Gjithashtu, ka kërkuar favore në institucione dhe subjekte të ndryshme.
Nga verifikimet e kryera, rezultoi se 49-vjeçari ishte në kërkim pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi është paraqitur në institucione dhe iu ka marrë para qytetarëve, duke u prezantuar si prokuror.
Në vijim të veprimeve hetimore për dokumentimin e rastit, u krye kontroll në banesën e shtetasit E. Ç., në Sarandë, ku qëndronte shtetasi A. M. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatik tip “Shars”, municion luftarak dhe dokumente të ndyshme zyrtare, radio si të Policisë dhe një kompjuter të cilat dyshohen se janë përdorur nga shtetasi A. M., për mashtrime.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale.