Tiranë/Zhvillohet trajnim për punonjësit e Policisë, me fokus parandalimin e dhunës në familje dhe mbrojtjen e të miturve.
Me qëllim parandalimin dhe luftën kundër dhunës në marrëdhëniet familjare, Seksioni për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjen e të Miturve, si dhe me pjesëmarrjen e Koordinatores së Dhunës në Familje të Sektorit të Barazisë Gjinore të Bashkisë Tiranë, zhvilloi trajnime me punonjës të komisariateve të Policisë Nr. 1, Nr. 2 dhe Nr. 3 të Tiranës.
Në këto trajnime morën pjesë specialistë dhe ndihmës specialistë për krimet, si edhe ndihmës specialiste të zonave të policimit, të cilët u njohën me mënyrat e identifikimit të hershëm të rasteve të dhunës në familje, me procedurat ligjore për trajtimin e viktimave dhe autorëve, si dhe me rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtjen e fëmijëve dhe grave në situata dhune.
Ky trajnim kishte për qëllim rritjen e kapaciteteve profesionale të punonjësve të policisë në trajtimin me ndjeshmëri, profesionalizëm dhe efektivitet të rasteve të dhunës në familje, si dhe forcimin e mekanizmave të referimit për mbrojtjen e viktimave.