Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë/Njoftim
Në kuadër të zhvillimit të Konferencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, më datat 8–10 tetor 2025, në Pallatin e Kongreseve, Tiranë, Policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së këtij aktiviteti, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë tij.
Konkretisht, në funksion të përmbushjes së këtyre qëllimeve, janë ndërmarrë këto masa:
-Kufizimi i lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga semafori pranë Presidencës deri te sheshi “Nënë Tereza” (përfshirë sheshin), rrugën “Gjergj Filipi”, si dhe në aksin që lidh hotel “Marriott” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”;
-Për këmbësorët do të jetë i bllokuar gjatë gjithë periudhës së zhvillimit të konferencës, trotuari nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve.
Kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 07:00 e datës 9 tetor 2025, deri në orën 15:00 të datës 10 tetor 2025.
Policia e Tiranës iu bën thirrje qytetarëve, për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Gjithashtu, ftojmë të shmangni lëvizjet e panevojshme në zonat e kufizuara, si dhe të respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e punonjësve të Policisë në terren.
Për çdo rast nevojë për ndihmë ose orientim, drejtojuni punonjësve të Policisë ose telefononi në numrin pa pagesë 112.
Durrës/Hetime intensive në vijim dhe kontrolle në ambiente të ndryshme, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të prostitucionit.
Finalizohet pas 3 javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “STORM 7”.
Zbulohet në lagjen nr. 12, Durrës, një apartament ku ushtrohej prostitucion.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetaset e huaja që e kishin marrë me qira apartamentin, për këtë qëllim.
Sekuestrohet një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, për një periudhë trejavore, në drejtimin e Prokurorisë, u organizua dhe u finalizua në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Durrës, operacioni policor i koduar “STORM 7”.
Si rezultat i hetimeve:
-u zbulua në lagjen nr. 12, Durrës, një apartament ku ushtrohej prostitucion;
-u arrestuan në flagrancë shtetaset N. T., 34 vjeçe, banuese në Venezuelë dhe A. A., 24 vjeçe, banuese në Kolumbi, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, të cilat dyshohet se e kishin marrë me qira apartamentin, për ushtrim prostitucioni.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, për shtetasit M. A., A. A. dhe D. T.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 6 celularë dhe dokumente identifikimi të shtetaseve të arrestuara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. M., 25 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, shërbimet e Policisë i gjetën sasi të lëndës të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. C., 24 vjeç, L. P., 24 vjeç dhe A. L., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjetin që drejtonte shtetasi K. C., shërbimet e Forcës Operacionale gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, për të cilën dyshohet se shtetasit L. P. dhe A. L. (pasagjerë), kishin dijeni dhe nuk kanë kallëzuar në organet kompetente.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin T. B., 66 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gjyshit të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Q. T., 55 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit I. T., 54 vjeç, Sh. T., 47 vjeç dhe H. B., 28 vjeçe, pasi ka kallëzuar shtetasi F. B., 40 vjeç (bashkëshorti i shtetases H. B.), se ajo ka ushtruar dhunë ndaj tij dhe se shtetasit I. T. dhe Sh. T. (të afërm të 28-vjeçares), e kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Elbasan/Informacion paraprak
Mëngjesin e sotëm, në aksin rrugor “Peqin-Elbasan”, shtetasi K. Ç., 25 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka përplasur shtetasin A. M., 85 vjeç. Shtetasi A. M. po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave të aksidentit.
Orikum
Zbardhet dhe dokumentohet vjedhja e 3 biçikletave të një turisteje gjermane, identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar.
Falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të vjedhjes së tre biçikletave në Orikum, shtetasit:
• G. B., 41 vjeç, banues në Orikum, Vlorë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, më datë 07.10.2025, ka vjedhur 3 biçikleta të markës “Bergamont”, në pronësi të një shtetaseje gjermane, të cilat ishin të parkuara në zonën e plazhit të Orikumit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 biçikletat e vjedhura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër
Vijojnë operacionet nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufijve.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Borders 3”.
Vihet në pranga një 19-vjeçar që ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, që të kalonin kufijtë, në mënyrë të paligjshme.
19-vjeçari u kap në flagrancë, në fshatin Vukpalaj, duke transportuar me automjet, 4 emigrantë që synonin të kalonin kufirin me Malin e Zi.
Sekuestrohen automjeti dhe celulari i 19-vjeçarit.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bajzë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një rast të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufijve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Borders 3”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:
-V. T., 19 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin tokësor me Greqinë dhe më pas kufirin tokësor me Malin e Zi, duke i transportuar me automjet, kundrejt pagesës 400 euro për person.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Interpol Tirana
I dënuar për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal që transportonte ilegalisht emigrantë, nga Shqipëria në shtetet e BE-së, ekstradohet nga Italia, 50-vjeçari.
Në vijim të bashkëpunimit shumë të ngushtë ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, u finalizua në kuadër të operacionit “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit Reinald Sheshi alias Leonat Sheshi, 50 vjeç.
Ai kërkohej ndërkombëtarisht sepse në vitin 2016, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Nga ky dënim 50-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur rreth 4 vjet e 3 muaj burgim.
Shtetasi Reinald Sheshi alias Leonat Sheshi ka qenë pjesëtar i një grupi kriminal që transportonte nga Shqipëria, kundrejt pagesës, emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në shtetet e BE-së.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. P., 35 vjeç, banues në Fier pasi posedonte doza Cannabisi.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. N., banues në Fier, pasi ka kallëzuar një punonjëse e sektorit që drejton ky shtetas, se nuk i është shënuar për disa ditë, prania në punë.
Specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 57 vjeç, banues në Tepelenë, pasi dyshohet se ka përndjekur një shtetase, në rrjete sociale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen I. L., 35 vjeçe, banuese në Fier, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të saj, 12 vjeç.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. L., 56 vjeç, banues në Ballsh, pasi dyshohet se ka ndotur ajrin, duke djegur një objekt në banesën e tij;
-K. Rr., banues në fshatin Drenovë, pasi dyshohet se si pasojë e përhapjes së flakëve të zjarrit që ka ndezur për të djegur mbeturina, është djegur një sipërfaqe toke.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Mirditë/Si rezultat i disa javëve hetime me metoda proaktive, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, finalizohet operacioni policor i koduar “Processing”.
Zbulohen në fshatin Shtuf, 2 parcela ku ishin kultivuar bimë narkotike dhe 1 ambient i përshtatur për tharjen e tyre.
Sekuestrohen rreth 33.7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe asgjësohen 220 bimë të dyshuara narkotike.
Vihen në pranga 2 autorët e dyshuar. Njëri prej tyre u kap në flagrancë në ambientin ku thaheshin bimët narkotike, tjetri me precedent penal për të njëjtën veprimtari kriminale.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas disa javësh hetime në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, ka organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Sektorin Operacional, operacionin policor të koduar “Processing”.
Si rezultat i operacionit, u vunë në pranga shtetasit:
-P. M., 31 vjeç, banues në fshatin Shtuf;
-K. P., 31 vjeç, banues në fshatin Arrëz, Mirditë, me precedent penal për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Gjatë operacionit, u zbuluan në territorin e fshatit Shtuf, njësia administrative Kaçinar:
-2 parcela ku ishin kultivuar 220 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies, përveç një pjese të vogël që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;
-1 ambient që këta shtetas e kishin përshtatur për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen e tyre për shitje. Në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan rreth 33.7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje, si dhe u kap në flagrancë shtetasi P. M.
Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin O. Sh., 37 vjeç, banues në Korçë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin M. V., 20 vjeç, banues në fshatin Bregas, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babit të tij.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-V. Ç., 41 vjeçe, banuese në fshatin Vloçisht, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj kunatës së saj;
-G. O., 36 vjeç, banues në fshatin Shqitas, pasi dyshohet se ka fyer dhe ka kanosur me fjalë disa punonjës të bashkisë.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin I. Q., 35 vjeç, banues në fshatin Pendavinj, pasi posedonte një trajler të vjedhur në Greqi, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Influenca”.
Identifikohet dhe arrestohet një 23-vjeçar që nxiste një 13-vjeçar, për të vjedhur.
Vihen në hetim 13-vjeçari, autor i dyshuar i një sërë vjedhjesh në kryeqytet, si dhe 2 shtetas të tjerë që i blinin të miturit, sendet e vjedhura.
Sekuestrohen 4 monopatina, të dyshuara të vjedhura.
Në vijim të punës hetimore dhe operacionale, me objektiv identifikimin dhe nxjerrjen e autorëve të vjedhjeve, përpara përgjegjësisë penale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 finalizuan operacionin “Influenca”, në kuadër të të cilit:
-u arrestua shtetasi J. K., 23 vjeç, banues në Tiranë;
-u proceduan në gjendje të lirë dy 13-vjeçarë dhe shtetasi Sh. M., 48 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi J. K. nxiste në mënyrë të vazhdueshme, njërin prej 13-vjeçarëve të proceduar, për të kryer vjedhje, ndërsa i mituri tjetër dhe shtetasi Sh. M. përvetësonin sendet e vjedhura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
PKK Kakavijë
Tentoi të nxirrte nga Shqipëria, 20 530 euro dhe 1 800 000 lekë, pa i deklaruar, procedohet penalisht 51-vjeçari.
Sekuestrohet shuma e parave.
Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit F. S., ku u gjetën 20 530 euro dhe 1 800 000 lekë, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin F. S., 51 vjeç, banues në Greqi. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan shtetasin B. H., 49 vjeç, banues në Durrës, pasi në rrugën “Vëllazërimi”, automjeti që drejtonte në gjendje të dehur, është përplasur me një automjet. Si pasojë pati vetëm dëme materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-S. Rr., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi dje, dyshohet se gjatë punës në subjektin ku 26-vjeçari është përgjegjës për sigurinë teknike, është dëmtuar një punonjës 31 vjeç, i cili ka marrë asistencë mjekësore dhe është larguar në banesë;
-R. K., 37 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një 39-vjeçar;
-A. D., 47 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka fyer një shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.