DVP Vlorë
Kapet dhe vihet në pranga edhe autori i dytë i shpallur në kërkim, për kultivim dhe shitje narkotikësh në territorin e Himarës, në kuadër të planit operacional “Koordinata”.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i kontrolleve intensive për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit:
•A. N., 30 vjeç, banues në Delvinë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi së bashku me shtetasin R. B., i ndaluar më herët, janë autorë të dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në territorin e bashkisë Himarë, kishin kultivuar bimë kanabisi dhe e përpunonin më tej me qëllim shitjen.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.