Policia e Shtetit, gjatë muajit shtator 2025
Punë operacionale intensive kundër kultivimit, shitjes dhe trafikimit të narkotikëve; armëmbajtjes pa leje, vjedhjes, krimeve mjedisore dhe krimeve ekonomike e kibernetike, në funksion të objektivit madhor: garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Gjatë muajit shtator:
✅ U finalizuan 114 operacione policore, nga të cilat 21 prej tyre në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar;
✅ U vunë në pranga 619 shtetas, të dyshuar për vepra penale të ndryshme;
✅ U asgjësuan 44 671 bimë narkotike, si dhe u sekuestruan rreth 178 kg cannabis, rreth 737 gramë kokainë, dhjetëra doza të këtyre lëndëve, si dhe 30 fara cannabisi;
– Policia e Tiranës goditi 2 raste të trafikimit nga Spanja dhe nga Kanadaja, të rreth 7.6 kg cannabis me përqindje të lartë THC-je;
✅ U sekuestruan 34 armë zjarri, të cilat u kapën në tentativë për t’u shitur ose trafikuar, me qëllim kryerjen e krimeve kundër personit; 13 armë gjahu, 26 armë të ftohta, 3 silenciatorë dhe municion luftarak;
– Në këtë kuadër, policitë e Shkodrës dhe Tiranës zbuluan ambiente të vëna në dispozicion të grupeve kriminale, përkatësisht në lagjen “Guerrile” dhe në rrugën “Myslym Keta”. Bazat kriminale ruanin, për llogari të grupeve, armë zjarri dhe lëndë narkotike;
✅ Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandaloi përshkallëzimin e konflikteve me armë, me mjete prerëse apo konflikte në familje, në 9 raste;
✅ Si rezultat i hetimeve profesionale, u zbardhën 11 ngjarje kriminale, si: vrasje, tentativë për vrasje, plagosje, djegie automjeti dhe heqje e paligjshme e lirisë;
✅ Strukturat për hetimin e krimeve ekonomike, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Kufitare, kanë goditur 10 raste të kontrabandës, 2 raste të mashtrimit me shuma të konsiderueshme parash, si dhe 14 raste të falsifikimit të dokumenteve, vizave dhe kartëmonedhave;
– Po nga strukturat për hetimin e krimeve ekonomike e financiare, u zbulua se në një spital privat në kryeqytet kryhej evazion fiskal dhe punësim i kundërligjshëm;
– Gjithashtu, u sekuestruan 13 pasuri të paluajtshme, 5 llogari bankare dhe 1 automjet “Ferrari”, me vlerë 3.6 milionë euro, të dyshuara të përfituara nga krimet;
✅ Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe seksionet e saj në qarqe goditën krijimin e skemave piramidale në hapësirën virtuale, 1 rast të pornografisë me të mitur dhe raste të kanosjes nëpërmjet rrjeteve sociale;
✅ Agjencitë ligjzbatuese amerikane pranë Ambasadës kontribuan për goditjen e një rrjeti kriminal që iu merrte shtetasve mijëra euro, për t’i çuar ilegalisht në SHBA ose Kanada;
– Policia e Korçës finalizoi gjithashtu një operacion kundër transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve;
✅ Më tej, u finalizuan:
– 20 operacione kundër vjedhjes;
– 3 operacione kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit;
– 1 operacion në favor të sigurisë ushqimore;
✅ U goditën 175 raste të ndërtimeve të paligjshme në të gjithë vendin;
✅ U proceduan penalisht 18 shtetas që penguan me mjetet e tyre lëvizjen e qytetarëve dhe të mjeteve të tjera;
Gjatë muajit shtator nisi zbatimi i Paketës për Sigurinë në Shkolla dhe programeve “Siguria e të rinjve”;
✅ Në bazë të eksperiencës së fituar për sa i përket menaxhimit të eventeve ndërkombëtare, dhe në zbatim të detyrave të përcaktuara në një plan masash të detajuar, gjatë muajit shtator u garantua mbarëvajtja e ndeshjes së futbollit “Shqipëri–Letoni”;
✅ Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me mjete bashkëkohore, kanë vijuar kontrollet në të gjitha akset e vendit, me qëllim konstatimin e shkeljeve rrugore që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës.
Në këtë kuadër:
– janë vënë në pranga 197 drejtues mjetesh, nga të cilët 128 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 69 për drejtim mjeti pa leje drejtimi;
– janë pezulluar 329 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë;
– janë vënë 20 714 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit. Në këto raste, drejtuesit e automjeteve kanë paguar dyfishin e gjobës maksimale dhe janë penalizuar me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.
✅ Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intensifikuar kontrollet, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi dhe tentativave për lëvizje të paligjshme.
✅ U dha ndihmë në det, në zonat turistike e malore, 35 shtetasve, kryesisht turistë e vizitorë të huaj, që kishin mbetur të bllokuar, rrezikoheshin nga dallgët apo kishin humbur orientimin për t’u kthyer në destinacion;
✅ 21 mjete lundruese u bllokuan pasi drejtuesit e tyre shkelën rregullat për pajisjen me dokumentacion dhe për sigurinë e pushuesve.
Janë evidentuar dhe goditur:
– 50 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve;
– 14 raste të tentativës për të kaluar kufijtë me dokumente false;
– 6 raste të mosdeklarimit të shumave të parave;
– 6 raste të trafikimit të lëndëve narkotike;
– 6 raste të trafikimit të mjeteve motorike.
Policia e Shtetit garanton qytetarët dhe partnerët se, nëpërmjet bashkëpunimit me ta dhe shfrytëzimit të të gjitha kapaciteteve që ka në dispozicion, është maksimalisht e angazhuar për të garantuar rend dhe siguri.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë menjëherë, në njësitë fizike të Policisë ose në numrin 112, çdo paligjshmëri që hasin.
#Shtator2025
#Policianënjëmuaj ✅
#AngazhimPërkushtimSakrificë
#Përtëmirënepërbashkët ♂️♀️