Krujë/Vijojnë hetimet për zbardhjen e autorësisë së vënies së lëndës plasëse në një servis automjetesh, në fshatin Luz, 4 ditë më parë.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari që dyshohet se ka vënë lëndën plasëse në qepenin e servisit të automjeteve.
Sekuestrohen motomjeti që dyshohet se ka përdorur 34-vjeçari në këtë ngjarje dhe celulari i tij.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në servisin e automjeteve në pronësi të shtetasit A. G., në fshatin Luz, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Krujë mundësuan identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit:
-E. Sh., 34 vjeç, banues në fshatin Zezë.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, më datë 28.09.2025, ka vënë lëndë plasëse në qepenin e servisit të automjeteve të shtetasit A. G. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të vogla materiale.
Vijojnë hetimet për përcaktimin e motivit të ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.