Raporti i ngjarjeve, 30 shtator 2025

Durrës

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin A. A., 48 vjeç, banues në Kavajë, pasi dyshohet se për shkak të ndërprerjes së kontratës së punës në Ujësjellës-Kanalizime Kavajë, ka goditur me grusht, drejtorin e institucionit, shtetasin O. D., të cilin gjithashtu e ka kanosur nëpërmjet mesazheve dhe thirrjeve telefonike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-B. Ç., 57 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”
-E. Gj., 41 vjeçe, pasi dyshohet se nuk ka kthyer një automjet të marrë me qira, për të cilin nuk ka paguar çmimin e qirasë.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh arrestuan shtetasin A. D., 23 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur materiale ndërtimi, në katin e parë të një pallati në lagjen nr. 13. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa prej këtyre materialeve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Targeti”, për zbardhjen e vjedhjeve në 2 subjekte, të kryera gjatë 2 muajve të fundit.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i rasteve, me precedent të theksuar në fushën e vjedhjeve.

Njërën prej vjedhjeve ai e kreu duke kanosur shitësin, me mjet prerës.

Shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 2 dhe Nr. 3, në vijim të punës për zbardhjen e autorësisë së vjedhjeve të kryera në territoret e tyre, finalizuan operacionin “Targeti”.

Si rezultat i operacionit, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i 2 vjedhjeve, shtetasi Sh. Z., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Konkretisht, dyshohet se ky shtetas:
-më datë 03.09.2025, ka vjedhur një shumë parash, në një dyqan në bulevardin “Gjergj Fishta”, duke kanosur shitësin, me mjet prerës (thikë);
-më datë 28.08.2025, ka vjedhur një shumë parash, në një dyqan në rrugën “Skënder Kosturi”.

Vijojnë hetime për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 31-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Vjedhja”.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore Vlorë arrestuan shtetasit:
– M. Xh., 27 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 29.09.2025, ora 20:00, në afërsi të vendit të quajtur “Ish Agjensia”, në rrugën “Gjergj Kastrioti”, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur, është përfshirë në një aksident rrugor me 3 automjete, dy prej të cilave në lëvizje dhe një të parkuar. Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të dëmtuar drejtuesi i njërit prej automjeteve, shtetasi G. Gj., dhe pasagjerja me të, shtetasja S. H., të ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën;
– L. F., 56 vjeç, banues në Vlorë, pasi në aksin rrugor Vlorë-Fier, u konstatua duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe proceduan penalisht, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, shtetasin D. D., 27 vjeç, banues në Vlorë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim punonjësja e Policisë Bashkiake Vlorë, shtetasja A. R., 55 vjeçe, se ky shtetas më datë 29.09.2025, ora 11:30, është futur pa leje në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak Vlorë, duke ndërprerë zhvillimin e mbledhjes për disa minuta.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

DVP Kukës

Specialistët e Komisariatit të Policisë Kukës arrestuan shtetasin A. H., 33 vjeç, banues në Kukës, pasi është kapur nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, jashtë banesës, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata e Kukësit.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin H. D., 21 vjeç, banues në fshatin Ujmisht, pasi nuk i bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për të ndaluar automjetin me të cilin qarkullonte me shpejtësi, në zonë të banuar. Ky shtetas u ndëshkua edhe me masë administrative 100 000 lekë, për disa shkelje të Kodit Rrugor.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

DVKM Kukës/Vijojnë kontrollet intensive nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.

Tentoi të kontrabandonte pjesë automjetesh, për t’i shitur në Shqipëri, kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë dhe vihet në pranga 48-vjeçari.

Sekuestrohen automjeti që drejtonte 48-vjeçari dhe pjesët e automjeteve.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll në vijë të dytë, në hyrje të RSh-së, automjetin me drejtues shtetasin B. M.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan pjesë të ndryshme automjetesh, pa fatura shoqëruese, të cilat ky shtetas tentoi t’i kontrabandonte në Shqipëri, për t’i këmbyer/shitur.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin B. M., 48 vjeç, banues në Kosovë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 50 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka përndjekur dhe ka kanosur me fjalë një 22-vjeçare. Në momentin e arrestimit, gjatë kontrollit fizik, 50-vjeçarit iu gjet një mjet prerës thikë.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një konflikt në familje, në lagjen nr. 18, Korçë, bëjmë me dije se shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan shtetasen D. B., 46 vjeçe, pasi dyshohet se ka goditur me send të fortë, bashkëshortin e saj, shtetasin N. B., 50 vjeç. Ai mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin D. E., 19 vjeç, banues në fshatin Rrëmenj, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, që i kishte caktuar Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, një 15-vjeçar, duke lëvizur me monopatinë elektrike, bashkë me një 13-vjeçar, ka humbur kontrollin dhe për pasojë është dëmtuar lehtë 13-vjeçari.

Dje, ka kallëzuar shtetasi A. S., 50 vjeç, se ka konstatuar mungesën e shume parash në banesën e tij, në fshatin Kamenicë, ku nuk banon prej 1 viti. Materialet për këtë rast u referuan në Prokurori, për vlerësim.

Materialet procedurale për rastet e tjera iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Durrës

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Arachne”.

Kapet dhe vihet në pranga një 46-vjeçare e dënuar nga Gjykata e Apelit e Bolonjas, Itali, me 13 vjet e 6 muaj burgim, për trafikim të narkotikëve, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për lokalizimin dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, kanë finalizuar një tjetër operacion për këtë qëllim.

Bazuar në informacionet e marra, në kuadër të operacionit të koduar “Arachne”, u bë lokalizimi dhe arrestimi i shtetases në kërkim, Edisnarda (alias Edisnajda) Shapka, 46 vjeçe, banuese në Durrës.

Gjykata e Shkallës e Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 169, datë 27.09.2025, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për këtë shtetase, në funksion të njohjes dhe ekzekutimit të vendimit penal të Gjykatës së Apelit të Bolonjas, Itali, të vitit 2020, mbi bazën e të cilit është dënuar shtetasja Edisnarda (alias Edisnajda) Shapka, me 13 vjet e 6 muaj burgim, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin M. B., 34 vjeç, pasi iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabisi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 41 vjeç, pasi dyshohet se me vetëgjyqësi ka dëmtuar automjetin e shtetases L. A., me pretendimin se ishte parkuar në garazhdin në pronësinë e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 25 vjeç, për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, pasi dyshohet se ka shqetësuar në rrugë, një 48-vjeçare.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-V. B., 34 vjeçe, pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit i ka marrë një shumë parash shtetasit N. M.;
-G. Ll., 58 vjeç, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. H., 41 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një dyqan.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 5:
-arrestuan shtetasin E. D., 27 vjeç, pasi në Valias dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me një mjet prerës një 31-vjeçar, i cili pas marrjes së mjekimit kaloi në banesë;
-referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin B. S., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet celularit, bashkëshorten e tij, e cila më pas, në gjendje të rënduar psikologjike, ka konsumuar disa medikamente. Aktualisht ajo ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Punohet për shoqërimin e tij dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., 40 vjeç, pasi dyshohet se nëpërmjet celularit ka kanosur bashkëshorten e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 7 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. A., pasi dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grusht fqinjin e tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin M. Q., 22 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte ka aksidentuar biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi S. B., 59 vjeç. Si pasojë, 59-vjeçari është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Më datë 29.09.2025, në Kamëz, në banesë, është konstatuar nga familjarët, pa shenja jete, shtetasi A. B., 38 vjeç. Paraprakisht dyshohet se humbja e jetës ka ardhur si pasojë e një arresti kardiak.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Lezhë

Pengoi qarkullimin e automjeteve në një rrugë në qendër të qytetit, duke parkuar automjetin në mënyrë të parregullt, procedohet penalisht 24-vjeçari dhe i bllokohet automjeti.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, gjatë kontrolleve me objektiv konstatimin e parkimeve të gabuara të mjeteve, që bëhen shkak për pengimin e qarkullimit në qytet dhe në zona me lëvizje të lartë, konstatuan një automjet të parkuar në mënyrë të parregullt, në shëtitoren “Gjergj Fishta”, Lezhë.

Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për drejtuesin e automjetit, shtetasin D. V., 24 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin parkimet në zona të ndaluara, me qëllim që të mos pengojnë lëvizjen e mjeteve të tjera dhe të qytetarëve. Në çdo rast, shkeljet do të trajtohen me masa administrative dhe/ose penale.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 47 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, nëpërmjet mesazheve në celular.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetaset:
-D. M., 33 vjeçe, pasi dyshohet se ka hyrë në banesën e një 48-vjeçareje, pa pëlqimin e saj, dhe e kanosur atë, për motive të dobëta;
-R. B , 39 vjeçe, pasi dyshohet se ka dhunuar një 34-vjeçare, për motive të dobëta.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasit S. N., 27 vjeç, dhe M. N., 23 vjeç, të dy banues në Mirditë, pasi dje, në qytetin e Rrëshenit, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë në shërbim dhe nuk iu janë bindur urdhrave të tyre, për të lëvizur automjetet.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin A. Gj., 38 vjeç, banues në Laç, pasi dyshohet se ka kanosur me thikë, motrën e tij, për motive të dobëta. Thika u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të kontrolleve që kryhen në zbatim të planit operacional policor të koduar “Koordinata”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë konstatuan në një sipërfaqe toke publike në fshatin Rrasi i Butë, 203 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Një pjesë e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasit P. N., 66 vjeç, dhe S. L., 59 vjeç, të dy banues në Maqellarë, pasi u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motomjetet e tyre, pa targa dhe pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin M. R., 34 vjeç, banues në Burrel, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të lëshuar nga Gjykata e Apelit Tiranë. Punohet për kapjen e tij.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Qëllimi”.

Vodhi 2 automjete, për t’i shitur, kapet dhe vihet në pranga 43-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Gjendet në Durrës dhe sekuestrohet njëri prej automjeteve, i vjedhur 2 ditë më parë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, pas kallëzimit nga një shtetase, për vjedhjen e automjetin që ajo kishte në përdorim, organizuan punën për zbardhjen e vjedhjes dhe gjetjen e automjetit. Si rezultat i hetimeve të kryera në kuadër të operacionit “Qëllimi”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:

-E. T.(B)., 43 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka vjedhur 2 automjete. Automjetin që ia ka vjedhur kallëzueses, më datë 28.09.2025, ai e ka dërguar në Durrës, me qëllim për ta shitur. Ky automjet u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë.

Punohet për gjetjen e automjetit tjetër që dyshohet se e ka vjedhur 43-vjeçari, në muajin korrik, dhe për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që ai mund të ketë kryer.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Bulqizë

Vodhi një shumë parash në një dyqan në këtë qytet, reagimi i menjëhershëm i Policisë bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të autorit.

Në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin e autorëve, kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasin B. D., 30 vjeç, banues në Bulqizë, i dënuar më parë për vjedhje.

Ky shtetas dyshohet se gjatë natës ka vjedhur në dyqanin e një 56-vjeçareje në Bulqizë një shumë parash, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprën penale “Vjedhja”.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Q. M., 33 vjeç, banues në fshatin Vukaj, pasi u kap duke transportuar 2 m³ lëndë drusore të prerë në mënyrë të kundërligjshme. Lënda drusore u sekuestrua si provë materiale.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Y., 36 vjeç, banues në fshatin Shirq, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. V., banues në Vermosh, pasi ka kallëzuar shtetasi N. V., se shtetasi P. V. i ka pushtuar një sipërfaqe toke.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin S. Ç., 32 vjeç, pasi në fshatin Topojë, dyshohet se me automjetin që drejtonte, ka goditur motomjetin që drejtonte shtetasi E. K., 40 vjeç, pas një konflikti fizik me të. 40-vjeçari është në kujdesin e mjekëve.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin S. G., 38 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në fshatin Savër, me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet. Si pasojë pati vetëm dëme materiale;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 21 vjeç, pasi në fshatin Grabjan, automjeti që drejtonte, është përplasur me motomjetin që drejtonte shtetasi R. R., 71 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. M., 28 vjeç, banues në Fiershegan, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Lushnjë/Informacion paraprak
Rreth orës 01:00, në lagjen “Gafurr Muço”, në murin e jashtëm në katin e parë të banesës së shtetases Sh. Gj., 57 vjeçe, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të vogla materiale. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor, për të kryer veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. D., 29 vjeç, banues në Kuçovë, pasi në rrugën “Stiliano Thoma”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte dhe si pasojë automjeti është përplasur me një pemë. Nga përplasja janë dëmtuar 29-vjeçari dhe pasagjeri në këtë automjet, të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. B. dhe F. L., për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. H., banues në fshatin Allambres, pasi dyshohet se ka pushtuar një sipërfaqe toke.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.