Dibër/Vazhdojnë takimet ndërgjegjësuese në shkolla për rritjen e sigurisë së të rinjve

Dibër | Vazhdojnë takimet ndërgjegjësuese në shkolla për rritjen e sigurisë së të rinjve.
Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për zbatimin e programit kombëtar “Siguria e të rinjve”, Policia e Dibrës po vijon organizimin e takimeve edukative dhe informuese në shkolla 9-vjeçare dhe të mesme të qarkut.
Takimet më të fundit u zhvilluan në 5 shkolla të ndryshme, nga ndihmësspecialisti për edukimin në shkolla pranë DVP Dibër, në bashkëpunim me stafin pedagogjik të shkollave 9-vjeçare “Haki Stermilli”,  “Alush Bonguri”,  “Isuf Karasani”,  “Demir Gashi” dhe gjimnazin “Fiqiri Dine”. Në këto takime morën pjesë nxënës të klasave të 6-ta dhe të 10-ta.
Gjatë bashkëbisedimeve u trajtuan tema me rëndësi për grupmoshën e tyre, si:
•Dhuna dhe format e saj;
•Bullizmi, shkaqet dhe pasojat;
•Siguria në përdorimin e internetit;
•Rëndësia e komunikimit dhe respektit pa përdorim force.
Për të bërë takimet më tërheqëse dhe më kuptimplote, punonjësit e Policisë përdorën materiale vizuale, video dhe foto ilustruese, ndërsa nxënësve iu shpërndanë fletëpalosje me informacion mbi sigurinë dhe mbrojtjen nga bullizmi.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve është të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve, të fuqizojë bashkëpunimin mes Policisë, shkollës dhe familjes dhe të krijojë një mjedis më të sigurt për komunitetin.
#PoliciaNëShkollë ‍♂️‍♀️
#SiguriaJonë ✅
#BashkëPërSigurinë ‍