Lezhë/Kreu parakalim të rrezikshëm në aksin rrugor “Lezhë-Mabë”, ndëshkohet drejtuesi

Lezhë

Kreu parakalim të rrezikshëm në aksin rrugor “Lezhë-Mabë”, ndëshkohet me masë administrative drejtuesi i automjetit dhe i zbriten 10 pikë nga leja e drejtimit.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, pas publikimit të një videoje në faqen “Harta Digjitale e Aksidenteve Rrugore”, në të cilën shfaqet një automjet duke kryer parakalim të rrezikshëm në aksin rrugor “Lezhë-Mabë”, kryen menjëherë veprimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit.

Nga verifikimet u identifikua drejtuesi dhe pronari i automjetit, shtetasi H. U., banues në Lezhë.

Në zbatim të neneve 141 dhe 127 të Kodit Rrugor, ky shtetas u ndëshkua me masë administrative 12 000 lekë të rinj dhe iu zbritën 10 pikë nga leja e drejtimit.

Policia Rrugore e Lezhës falënderon qytetarët dhe median për kontributin në evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i fton ata të vijojnë të denoncojnë raste të tilla, pasi reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe në përputhje me ligjin.