Policia Rrugore e Durrësit godet 2 raste të tjera të tentativës për mitëdhënie

Policia Rrugore e Durrësit godet edhe 2 raste të tjera të tentativës për mitëdhënie.

Shkon në 28 numri i drejtuesve të automjeteve të arrestuar apo proceduar për tentativë për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore.

Drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe tentoi të korruptonte efektivët, duke iu ofruar 20 euro për të mos kryer testin e alkoolit. Vihet në pranga shtetasi G. R., 51 vjeç, banues në Durrës. Nga kryerja e testit të me alkoolit rezultoi se ky shtetas drejtonte automjetin në gjendje të dehur, në masën 0.71 mg/l.

Ndërkohë, gjatë monitorimit dhe kontrolleve të shërbimeve të Policisë Rrugore të Durrësit, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, u procedua penalisht shtetasi Sh. K., 31 vjeç, banues në Vorë, Tiranë, pasi tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore, duke iu ofruar 2000 lekë të rinj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Policia Rrugore e Durrësit apelon sërish për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të tyre, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.